Zyrtare: Sheikët e Man Cityt blejnë shumicën e aksioneve të klubit të njohur italian

Share Messenger

Pronarët e Manchester Cityt tashmë edhe zyrtarisht kanë blerë shumicën e aksioneve të Palermo FC.

Lajmi është bërë i ditur nga klubi italian përmes një njoftimi të lëshuar në faqen zyrtare.

“’City Football Group’ ka blerë shumicën e aksioneve të Palermo FC. Skuadra siciliane krenohet me një histori plot suksese dhe është një nga klubet më të njohura të futbollit në Itali. Dario Mirri, sicilian dhe gjithmonë tifoz, do të mbetet President i klubit dhe kryetar i bordit të drejtorëve të Palermos FC”, thuhet në njoftimin e klubit.

Kurse, Ferran Soriano, kryeshefi ekzekutiv i “City Football Group” tha:

“Palermo është një klub i madh historik dhe ka një identitet të fortë dhe krenar. Ne do të punojmë së bashku me Dario Mirrin për të konsoliduar punën e tij të jashtëzakonshme, e cila synon – gjatë viteve të ardhshme – rritjen e qëndrueshme të Palermos. Ky është një ekip shumë i fortë dhe roli ynë do të jetë t’i shtojmë vlerë të gjitha gjërave që e bëjnë atë kaq të veçantë dhe të përmirësojmë vazhdimisht performancën brenda dhe jashtë fushës, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën tonë. Italia është një nga vendet më emocionuese dhe entuziaste të futbollit në botë, me një histori të pasur suksesesh kombëtare dhe klubesh, tifozë të pasionuar dhe një mori lojtarësh fantastikë. Jemi të kënaqur që ‘City Football Group’ ka shtrirë praninë e tij në Itali”.

Dario Mirri, presidenti i Palermos FC, shtoi: “Ne jemi veçanërisht të lumtur që mirëpresim ‘City Football Group’ në Palermo. Ne donim të gjenim investitorin e duhur, me një njohuri të thellë të futbollit, për të na ndihmuar të ndjekim rrugën tonë. Kjo është ajo që sjell prania e ‘City Football Group’. Ne ramë dakord për investime para fundit të sezonit dhe e dimë se mund të mbështetemi te një partner i gatshëm për të zhvilluar Palermon në mënyrën e duhur. Jam i emocionuar që vazhdoj të punoj së bashku me ‘City Football Group’. Ata e kuptojnë dhe respektojnë kulturën dhe traditat e klubit tonë. Ne jemi duke ndërmarrë një projekt së bashku për të cilin jam i sigurt se të gjithë tifozët tanë do të jenë krenarë”.

Kubi i Palermos nuk ka zbuluar detaje nga marrëveshja me sheikët, por besohet se ata kanë blerë 80% të aksioneve për rreth 13 milionë euro.

Kujtojmë se Palermo në sezonin 2022/23 do të jetë pjesë e Serie B.

Share Messenger

Më të lexuarat