Veseli: Albin Kurti po na rrezikon, ftoj qytetarët për ta kundërshtuar

Share Messenger

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë në një konferencë të kashtëzakonshme se kryeministri Albin Kurti është i paaftë dhe po rrezikon aleancën e Kosovës me SHBA’të.

Veseli ka thënë se për të parandaluar këtë ka ftuar për nesër, në orën 15, një seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar llogari nga Qeveria.

“Për ta parandaluar një dëm të tillë, së bashku me deputetët e partive të tjera opozitare, ne kemi ftuar për nesër, në orën 15, një seancë të jashtëzakonshme – për të kërkuar llogari nga kjo Qeveri e papërgjegjshme në raport me qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

Lideri i opozitës ka ftuar qytetarët e Kosovës, mbi çdo dallim politik, ta ngre zërin kundërshtues para këtij rreziku, me pasoja të paparashikueshme.

Deklarata e plotë e Kadri Veselit:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës i merr me shqetësim serioz paralajmërimet e fundit për Kosovën nga miku ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore në vlerë prej qindra miliona dollarësh. Si asnjëherë më parë, kjo aleance e shenjtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po vihet në rrezik nga një Kryeministër i paaftë për të kuptuar e vepruar drejt, nga një Kryeministër pa vizion e pa përgjegjësi. Për fat të keq, gjithnjë e më shumë po vërtetohet se kjo Qeveri është rrezik për interesin e përgjithshëm nacional. Ky rrezik vjen nga kjo Qeveri që ka mungesë të gatishmërisë për të marrë përgjegjësi dhe vendime në interes të vendit dhe qytetarëve tanë. Dëmi që po shkakton është i rëndë.

Dëmi tashmë është bërë shumë i madh në relacion me aleatin tonë strategjik dhe pozitën tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Të keqpërdoret pozita në Qeveri, dhe për disa javë ta sjellësh Kosovën para rrezikut të sigurisë nacionale, është e paprecedent. Mund të jesh i majtë, mund të jesh i djathtë në Kosovën e lirë, por është e papranueshme dhe e rrezikshme që këto ide ta konfrontojnë interesin tonë shtetëror!

Ne kemi vetëm këtë shtet me interes të qartë nacional. Për ta parandaluar një dëm të tillë, së bashku me deputetët e partive të tjera opozitare, ne kemi ftuar për nesër, në orën 15, një seancë të jashtëzakonshme – për të kërkuar llogari nga kjo Qeveri e papërgjegjshme në raport me qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ftoj qytetarët e Kosovës, mbi çdo dallim politik, ta ngre zërin kundërshtues para këtij rreziku, me pasoja të paparashikueshme!

Share Messenger

Më të lexuarat