Trent Alexander-Arnold fjalë të mëdha për Kosovën:Ekip mjaft i rrezikshëm

Share Messenger

Trent Alexander-Arnold ka dhënë fjalë të mëdha për Përfaqësuesen e Kosovës. Mbrojtësi anglez thotë se ‘Dardanët’ janë të nënvlerësuar pasi bëhet fjalë për një ekip mjaft të rrezikshëm.

Paraqitjet mbresëlënëse dhe rezultatet pozitive e kanë ngritur reputacionin e Përfaqësueses së Kosovës.

Për ‘Dardanët’ bota tash ka mendim ndryshe, e mbi të gjitha ekipet të cilat janë përballur me ta.

Anglia fitoi me vështirësi ndaj ekipit Verdhekaltër muajin e kaluar në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Për këtë është i vetëdijshëm edhe mbrojtësi i djathtë anglez, Trent Alexander-Arnold, i cili shpreh respekt maksimal për ekipin e Bernard Challandes.

Kosova gjendet në pozitën e 120-të në renditjen e FIFA-s, por futbollisti i Liverpoolit konsideron se “Dardanët” meritojnë të jenë më lartë dhe se kjo nuk është pasqyra reale e forcës së këtij ekipi.

“Kosova ishte ekip mjaft i nënvlerësuar dhe ne kishim respekt maksimal për këtë skuadër para lojës, e dinim se ishin të rrezikshëm dhe se mund të na kërcënonin. Për fatin tonë të mirë, ne ishim në gjendje të shënonim më shumë, por nuk jemi të kënaqur me golat që i pësuam dhe duhet të punojmë në këtë drejtim”, ka thënë Alexander-Arnold.

Anglia prin në Grupin A me 12 pikë, tri më shumë se Republika Çeke (9) dhe katër më shumë se Kosova (8).

“Tre Luanët” do të luajnë të premten në Pragë pikërisht me çekët në udhëtim dhe një fitore eventuale do t’i dërgonte ata me një këmbë në Evropian.

Nga ana tjetër, Kosova luan sonte me Gjibraltarin në ndeshje miqësore, ndërsa të hënën që vjen do ta zhvillojë një takim mjaft të rëndësishëm me Malin e Zi, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Share Messenger

Më të lexuarat