Thaçi flet para mediave: Të formohet Qeveria e re sa më parë, BE t’i heqë vizat dhe të ruhet miqësia me SHBA’në

Share Messenger

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pas publikim të aktgjykimit të Gjykatës Kushetuese duhet të formohet sa më parë Qeveria e re, teksa u bëri thirrje BE’së t’i heqë vizat dhe kërkoi për ruajtje të marrëdhënieve me SHBA’në.

Presidenti në një konferencë për media ka thënë se Qeveria e re duhet të formohet sa më parë, pasi që vendi nuk ka kohë për të humbur.

“Pres që sa më parë të themelohet Qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë një qeveri funksionale dhe efektive. Kosova nuk e ka luksin të ketë vakuum në qeverisje, na duhet koha që gjërat të lëvizin përpara.

Ftoj partitë politike dhe të nominuarin për kryeministër që të marrin përgjegjësi. Kosova ka humbur shumë kohë duke ndërruar shumë qeveri për tri vite.”, ka thënë ai.

Tutje Thaçi bëri thirrje që të vazhdojë kujdesi në përballjen me pandeminë, dhe t’i kushtohet rëndësi rimëkëmbjes ekonomike.

“Të mbesim të kujdesshëm në përballjen me pandeminë, edhe një herë sikur cdo ditë dhe moment në këtë kohë dua të falenderoj IKSHPK’në, të gjithë ata që punojnë ne sektorin e mjekësisë.

Duhet të vazhdojmë përqendrimin për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Ftoj edhe një herë shtetet e BE’së që të marrin vendimin për vizat, të hiqet ky ndëshkim për qytetarët, të vazhdojmë të ruajmë partneritetin me SHBA’të dhe partnerët tjerë”, tha ai.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar sot Aktgjykimin e plotë lidhur me vendimin e marrë për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetueses thuhet se dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën.

Kjo pritet t’i hapë rrugë thirrjes së seancës për votimin e Qeverisë së Avdullah Hotit, e cila me gjasë do të votohet gjatë së mërkures.

Share Messenger

Më të lexuarat