Suarez: Duhet të jemi gati kur të gabojë Real Madridi

Share Messenger

Sulmuesi Luis Suarez thotë se Barcelona duhet të jetë gati nëse lideri i La Ligës, Real Madridit, humb pikë, tani që po afrohet fundi i kampionatit.

Barcelona e zvogëloi epërsinë e madrilenëve në një pikë në krye të tabelës pas fitores me rezultat 1:0 kundër Espanyolit të mërkurën.

Barcelona dhe Espanyoli mbetën me nga dhjetë lojtarë në këtë ndeshje në Camp Nou, para se sulmuesi Luis Suarez ta shënonte golin e fitores në minutën e 56-të të ndeshjes,.

Barcelona ka luajtur në një ndeshje më shumë sesa rivali i vet, Real Madridi, që është një pikë përpara në tabelë, përkundër që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Los Blancos do ta luajnë ndeshjen e kësaj xhiroje të premten, kundër Deportivo Alavesit.

E përderisa trajneri Quique Setien insistoi se Barcelona s’duhet të shqetësohet për Real Madridin por vetëm për vete, Suarez tha se katalonasit duhet të jenë gati për ndonjë gabim të rivalit.

“Ajo që ne duhet ta bëjmë është t’i fitojmë tri ndeshjet e radhës. Çfarëdo që Real Madridi bën, varet nga ta”, ka thënë Suarez, i cili pas ndeshjes të së martës u bë golashënuesi i tretë më i mirë në histori të klubit katalonas.

“Nëse rivali humb pikë, kjo do të ishte fantastike. Ne duhet të mendojmë që të jemi gati nëse ndodh një gjë e tillë”.

Share Messenger

Më të lexuarat