Sot pritet të procedohet Pakoja e Projektligjeve për Ushtrinë

Share Messenger

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) pritet që sot ta procedojë në Qeveri Pakon e Projektligjeve për Ushtrinë e Kosovës.
Gjë e cila është përfshirë edhe në planin legjislativ të Qeverisë për këtë vit

Madje në këtë plan parashihet që Qeveria deri më 30 prill ta përfundojë punën e saj në këtë projektligj për FSK-në dhe që më tutje kjo çështje të trajtohet nga Kuvendi.
Ditë më parë Ministria e FSK-së ka konfirmuar për “Zërin” se deri më 30 prill do ta procedojë në Qeveri draftligjin për FSK-në.

“Aktualisht jemi në pritje të deklaratës financiare për koston buxhetore nga Ministria e Financave, si dhe pëlqimin nga Ministria e Integrimeve Evropiane në mënyrë që draftligjet të jenë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së. Ne në përputhje me Strategjinë Legjislative të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Planit Veprues të MFSK-së deri më 30 prill do ta dërgojmë draftligjin në Qeveri”, ka thënë për gazetën “Zëri” Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në MFSK.
Forca e Sigurisë së Kosovës i ka plotësuar kapacitetet e saj operacionale sipas misionit aktual të përcaktuar me Kushtetutën e vendit.

Kapacitetet e plota operacionale të FSK-së janë njohur dhe deklaruar edhe nga NATO-ja në korrik të vitit 2013.

Bashkësia ndërkombëtare është pajtuar që FSK-ja ta zgjerojë misionin, por kërkojnë që transformimi në ushtri të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, përveç ndryshimit të 39 ligjeve, nevojitet edhe ndryshimi i Kushtetutës, gjë e cila duket vështirë e mundshme, pasi Lista Serbe është deklaruar kundër formimit të ushtrisë së Kosovës.
Ndërkohë që ndryshimi i Kushtetutës bëhet me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve, si dhe dy të tretat e votave nga komunitetet joshumicë, që nënkupton se pa votat e Listës Serbe nuk mund të ndryshohet Kushtetuta.

Në vitin 2017 presidenti Hashim Thaçi pati iniciuar formimin e ushtrisë vetëm përmes ndryshimit të ligjeve, pra pa ndryshime kushtetuese, por më pas ishte tërhequr pas kritikave nga bashkësia ndërkombëtare.

Share Messenger

Më të lexuarat