Reagon Kurti, kërkon dënim meritor për dhunuesit e 11-vjeçares

Share Messenger

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçares në Prishtinë.

Në një reagim të fundit, Kurti ka kërkuar nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë dhe, siç ka shkruar ai, që kryerësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme.
“Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale. Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër”, ka shkruar Kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve “si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku.”

Share Messenger

Më të lexuarat