Rasti i Astrit Deharit, peng i formimit të Qeverisë

Share Messenger

Rasti i vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka mbetur peng deri në formimin e Qeverisë.  Kjo, meqë kërkesa e familjes Dehari që Instituti i Pavarur Zviceran ta kryejë ekspertizën, ishte refuzuar një herë nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë për “Indeksonline” se familja është në pritje të Qeverisë së re që të dorëzojë kërkesën e tyre për ndonjë Institut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo të ndonjë shteti të BE-së.

Sipas tij, kërkesa e familjes Dehari ishte refuzuar nga Qeveria e atëhershme me arsyetimin se Zvicra nuk është shtet i Bashkimit Evropian.

“Meqenëse Qeveria nuk i ka mbajtur premtimet e veta që ta lejojë Institutin e Pavarur Zviceran, ne tani po presim formimin e Qeverisë së re që të paraqitet një kërkesë e re.  Familja e Astritit kishte përzgjedhur Institutin e Pavarur Zviceran mirëpo Qeveria e kishte refuzuar duke pretenduar se Zvicra nuk është shtet i Bashkimit Evropian. Do ta vendosë familja e Astrit Deharit nëse kërkesën e re do ta paraqesë për Instituin e njëjtë, apo jo. Por, sigurisht do të ketë edhe konsultime për të vendosur rreth kësaj se a do të paraqitet kërkesë për ndonjë Institut në SHBA, apo shtet të BE-së”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka sqaruar se kërkesa e familjes Dehari që hulumtimet të zhvillohen në Zvicër ka qenë si shkak që ata kishin jetuar në atë shtet për 20 vite dhe për ekspertizën nuk iu është dashur të paguajnë fare.

Kjo, sipas Gashit do të ndryshojë nëse do të vendoset për ndonjë Institut në SHBA apo cilindo shtet tjetër në BE.

“Ai Institut ishte përzgjedhur nga prindërit e Astritit meqë ata bashkë me Astritin kishin jetuar në Zvicër rreth 20 vite dhe kanë pasur besim te ekspertizat e tyre që do ta thonë të vërtetën. Idea e familjes së Deharit ka qenë që edhe të mos ketë shpenzime sepse për identifikim të Institutit Zviceran nuk është kërkuar as edhe një euro, për shkak se kanë jetuar atje 20 vite, ndërsa për zgjedhjen e ndonjë instituti në SHBA apo çfarëdo shtetit të BE-së sigurisht që nuk mund të bëhet me hamendje, por duhet të bëhet hulumtim rreth Instituteve me kredibilitet”, është shprehur tutje ai.

Gashi ka shtuar se Mjekësia Ligjore në Prishtinë nuk kishte konkluduar se Astrit Dehari ishte vetëvra, por një deklaratë e tillë kishte rrjedhur nga prokurori i rastit me qëllim që të manipulohet publiku.

Kujtojmë se Astrit Dehari kishte humbur jetën në burgun e Prizrenit, ditën e 5 nëntorit të vitit 2016.

Share Messenger

Më të lexuarat