Rama: Vrasja e policit është alarm për eksalimin e situatës në një konflikt të armatosur

Share Messenger

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës, ku një zyrtar policor ka humbur jetën dhe një është plagosur një tjetër në veri të vendit.

Reklama

Sipas Ramës, kjo tragjedi është alarm për eksalimin e situatës në një konflikt të armatosur.

“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është kambana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”, ka shkruar Rama në X.

Ai ka shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet ta ulë Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut.

“Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit”, ka shtuar ai.

“Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, përfundon Rama.

Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë në veri të Kosovës.

Share Messenger

Më të lexuarat