Rama premton: 70 euro për fëmijët e familjeve me të ardhura të ulëta

Share Messenger

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama gjatë intervistës në “Përballje” në Telegrafi, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka folur për planin, projektet dhe synimet që ai ka nëse zgjidhet si kryetar i kryeqytetit, garë kjo e cilat do të mbahet më 14 nëntor 2021.

Ai në këtë intervistë ka folur për zgjidhjen e problemit të mungesës së shkollave në disa lagje dhe mbingarkesës me nxënës të shkollave në lagje tjera.

“Kemi paraparë shtatë shkolla brenda mandatit 4-vjeçar. Tri do të ndërtohen dy viteve, derisa tjerat gjatë dy viteve tjera të mandatit. Do të ndërtohen shkolla që i shërbejnë Qëndresës, Matit, Sofalisë, Kalabrisë, Kodrës së Trimave dhe Përroit të Njelmët. Janë këto shkolla që do të ndërtohen në mandatin tonë 4-vjeçar”.

Rama thotë se synimi i qeverisjes së tij është që së paku gjysmën e shkollave t’i shndërrojë në shkolla me qëndrim tëre ditor.

“Kemi shkolla me dy ndërrime. Është shumë problem për prindërit që punojnë të menaxhojnë këtë situatë. Me mësim terë ditor fëmijët shkojnë në shkollë në orën 8:00 dhe e kryejnë në ora 16:00. Kurrikulës i shtohet sporti, programimi e aktivitete tjera”, tha Rama në “Përballje”, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se e kanë zgjidhjen e për fëmijët që shkojnë në çerdhe.

“Ne kemi 8 çerdhe publike dhe tetë të tjera të lidhura me komunitet. Kemi njëkohësisht edhe 100 çerdhe tjera private. Pra nuk kemi problem me objektet fizike, problem është se familjet nuk kanë mundësi të paguajnë çerdhet që shkojnë 120 euro e më tepër”.

“Ne kemi zgjidhje për këtë. Familjet që marrin më pak 500 euro ne do t’i subvencionojmë me nga 70 euro për çdo fëmijë që dërgojnë në çerdhe. Kjo na del më lirë se të ndërtojmë çerdhe të reja dhe njëkohësisht mbështesim sektorin privat”, deklaroi ndër të tjera Rama.

Share Messenger

Më të lexuarat