PSG favorit për të nënshkruar me Lionel Messin

Share Messenger

E ardhmja e Lionel Messit vazhdon të jetë temë mjaft e nxehtë në mediat sportive, pasi superylli i Barcelonës do të mbetet pa kontratë në fund të këtij sezoni.

Argjentinasi e kishte kërkuar largimin nga katalunasit në verën e kaluar, gjë që iu pamundësua nga klubi, ndërsa me ardhjen e Joan Laportas në krye është besuar se ai do ta zgjatë qëndrimin.

Sidoqoftë, derisa javët po kalojnë dhe jemi drejt fundit të sezonit, 33-vjeçari akoma nuk ka marrë një vendim dhe është duke e pritur momentin e duhur për ta bërë hapin e madh.

Ndërkohë, spekulimet që lidhen me të ardhmen e tij, janë të vazhdueshme. Vet lojtari nuk ka folur asgjë se çfarë do të bëjë, porse është i fokusuar vetëm te ndeshjet e mbetura në La Liga.

Barcelona, në anën tjetër, është goditur rëndë nga kriza financiare si pasojë e pandemisë, ashtu që i ka opsionet e kufizuara financiare lidhur me ofertën që mund t’i bëjë numrit 10.

Dhe në një raportim ekskluziv, gazetari i “TNT Sports Brasil”, Marcelo Bechler, ka thënë se Paris Saint-Germaini ka marrë primatin në garën për nënshkrimin e tij.

Në bazë të këtij njoftimi, kampioni francez i ka ofruar Messit kontratë të majme dyvjeçare me opsionin për ta vazhduar edhe për një vit tjetër.

Pritet të shihet se cili do të jetë vendimi i futbollistit: të qëndrojë në Camp Nou, ku ka luajtur gjatë gjithë karrierës profesionale apo të kërkojë një sfidë të re.

Share Messenger

Më të lexuarat