Prokuroria tregon hapat që i ka ndërmarrë kundër falimentimit të Telekomit

Share Messenger

Ditë më parë Telekomi i Kosovës ka kërkuar ndihmën e Prokurorisë dhe të Qeverisë për shpëtimin nga përmbaruesi privat “Dardafon.net”, ku Telekomi parashihet të pësojë humbje financiare prej 24.6 milionë eurove. E për shkak të mos reagimit të Prokurorisë, Grupi për studime Juridike dhe Politike gjatë ditës së djeshme potencuan se prokuroria po heshtë ndaj situatës afër bankrotimit të Telekomit të Kosovës pasi sipas tyre është tregues i kapjes kriminale dhe shpërdorimit që i është bërë ndër vite kësaj ndërmarrje publike.

“Heshtja e Prokurorisë së Shtetit ndaj situatës afër bankrotimit të Telekomit të Kosovës është tregues i kapjes kriminale dhe shpërdorimit që i është bërë ndër vite kësaj ndërmarrje publike”, kishte thënë GLPS-ja.

Ndërsa, sot Prokuroria ka demantuar këtë shkrim të GLPS-së duke thënë se lidhur me këtë çështje janë zhvilluar dy raste penale.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se lidhur më këtë çështje janë zhvilluar dy raste penale. Prokuroria Speciale e EULEX-it kishte ngritur aktakuzë në vitin 2011 ndaj pronarëve dhe përqafuesit ligjor të operatorit Dardafone.net Sh.p.k, si dhe ndaj Kryeshefit Ekzekutiv dhe Kryetarit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, lidhur me marrëveshjen për operatorin e rrjetit mobil të arritur ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it, ku pas zhvillimit të procedurës penale ky rast ka marrë epilog përfundimtar gjyqësor”, ka bërë të ditur zyra e prokurorit përmes një komunikate.

Në këtë komunikatë të prokurorisë thuhet se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj menaxhmentit të PTK-së në vitin 2018, konkretisht ndaj dy kryeshefave ekzekutivë dhe kryetarit të bordit të Drejtorëve.

“Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj menaxhmentit të PTK-së në vitin 2018 nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i njohur si rasti “Z-mobile”, konkretisht ndaj dy kryeshefave ekzekutivë të PTK-së dhe kryetarit të Bordit të Drejtorëve, procedurë kjo, që është zhvilluar në shkallë të parë”. Po ashtu, duke e aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim, ku dhe pritet që pranë gjykatës së shkallës së parë të zhvillohet edhe njëherë procedura gjyqësore lidhur më akuzën e prokurorisë për këtë rast. Prokurori i Shtetit, njofton opinionin publik se ka pranuar në punë edhe lëndë të tjera lidhur me Telekomin, ku tanimë janë duke u zhvilluar edhe disa procedura penale. Prandaj, supozimet e GLPS-së ndaj Prokurorisë së Shtetit janë të pabazuara si të tilla dhe rrjedhimisht të paqëndrueshme.

Share Messenger

Më të lexuarat