Prokurori që heton mafian ruhet nga policia nga 1989-a, s’ka qenë në restorant që 20 vjet

Share Messenger

Prokurori italian, Nicola Gratteri, në tri dekadat e kaluara të jetës së tij është marrë me hetimin e grupit më të fuqishëm mafioz në vendin e tij, Ndrangheta. Ai ruhet nga policia që nga viti 1989.

Të mërkurën, Gratteri nisi një ndër sulmet më ambicioze ligjore kundër këtij grupi, duke e filluar procesin më të madh gjyqësor në 30 vjetët e fundit. 355 gangsterë dhe bashkëpunëtorë të dyshuar do të dalin në gjykatë.

“Gjykimi po shihet si një lloj çlirimi për Kalabrinë, një pikë kthese që duhet t’u lejojë njerëzve këtu që ta rifitojnë lirinë që u është mohuar për shumë vjet”, tha Gratteri për agjencinë Reuters, transmeton Gazeta Express.

Në vitin 1992, mafia italiane kishte vrarë dy nga prokurorët kryesorë të që merreshin me hetimin e grupit Cosa Nostra, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, si hakmarrje për burgosjen e qindra anëtarëve të mafisë.

Gratteri është ruajtur nga një eskortë e armatosur që nga koha kur nisi hetimet kundër grupit mafioz Ndrangheta më 1989, por tani siguria i është përforcuar edhe më shumë për shkak të fillimit të gjykimit të të pandehurve.

“Jam më i kujdesshëm se zakonisht tash për tash. Nuk dal dhjetë metra pa veturën time të blinduar. Nuk kam qenë në restorant që më shumë se 20 vjet dhe s’kam qenë në kinemi për më shumë se 30 vjet. Jam gjithmonë i mbyllur. Ha bukë në zyrën time. Shtëpia ime në thelb është bunker. Kam një ekip të mirë të truprojave”, tha ai.

Asnjë lloj i mbrojtjes nuk do ta mbronte atë nga shpërthimet e bombave që i lanë të vdekur prokurorët Falcone dhe Borsellino, por Gratteri thotë se nuk lejon që ky mendim ta trazojë.

“Jam i trajnuar që të përballem me frikën. E shikon vdekjen në fytyrë, e racionalizon atë, përndryshe s’mund t’ia dalësh në këtë punë shumë vjet”, shtoi prokurori i njohur për luftimin e grupeve mafioze.

Share Messenger

Më të lexuarat