Po ndryshon pamja e kartëmonedhave euro

Share Messenger

Banka Qendrore Evropiane (BQE) njoftoi të hënën se planifikon të ridizajnojë kartëmonedhat euro gjatë tre viteve të ardhshme për t’i sjellë ato më afër evropianëve të të gjitha moshave dhe prejardhjeve.

BQE-ja do të mbledhë propozime me tematika të reja në 19 vendet që kanë adoptuar euron deri më tani, tha BQE. Dizajni i ri do të zëvendësojë dritaret, dyert dhe urat e stileve të ndryshme arkitekturore që kanë zbukuruar kartëmonedhat euro që nga prezantimi i tyre në vitin 2002, shkruan reuters.

“Pas 20 vitesh, është koha për të rishqyrtuar pamjen e kartëmonedhave tona për t’i afruar ato me evropianët e moshave dhe prejardhjeve të ndryshme”, tha presidentja e BQE-së, Christine Lagarde.

Dizajni origjinal supozohej të nënkuptonte unitet dhe hapje, dhe në të njëjtën kohë ishte mjaft abstrakt sa nuk mund të lidhej me asnjë anëtar të vetëm të Bashkimit Evropian.

Por shumë agjenci qeveritare, ndërkohë, janë përpjekur të theksojnë diversitetin dhe përfshirjen gjatë dizajnimit të kartëmonedhave të reja gjersa Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka zgjedhur aktivisten afrikano-amerikane kundër skllavërisë, Harriet Tubman për kartëmonedhën e saj prej 20 dollarësh.

Një grup këshillimor ekspertësh nga çdo vend i eurozonës do të përzgjedhë temat dhe do t’ia paraqesë ato Këshillit Drejtues të BQE-së, i cili do të kërkojë opinionin publik përpara se të nisë një konkurs dizajni. Pas konsultimeve publike shtesë, Bordi Drejtues do të marrë një vendim përfundimtar deri në vitin 2024. Në konkursin e fundit në vitin 1996 fitoi zgjidhja e stilistit austriak Robert Kalina.

Share Messenger

Më të lexuarat