Për një vit konsumohen shtatë mijë tonë kafe dhe tre mijë tonë cigare në Kosovë

Share Messenger

Shtatë mijë tonë kafe dhe tre mijë ton cigare importohen dhe konsumohen brenda një viti nga qytetarët e Kosovës. E nëse llogaritet vetëm taksa e paguar për cigare atëherë janë rreth 170 deri në 180 milionë euro taksë që mblidhet nga cigaret.

Këto të dhëna i ka dhënë drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.

Ai po thotë se deri më tani janë importuar 1 mijë e 450 tonë cigare dhe 3 mijë e 500 tonë kafe.

“Cigaret, brenda vitit në Kosovë importohen rreth 3 mijë tonë, konsumi në Kosovë është në këtë sasi 3 mijë ton. Nëse marrim vetëm taksa diku janë 170-180 milionë euro taksë që mblidhen nga kjo kategori”.

“Deri tash kemi diku 1 mijë e 450 tonë import të duhanit për këtë periudhë të vitit 2019. Te kafja, konsumi vjetor i kafes në Kosovë është diku është 7 mijë tonë. Deri tash kemi rreth 3 mijë e 500 tonë që janë importuar në Kosovë”, tha Berisha.

Sipas tij, cigaret hyjnë në grupin që sjellin më së shumti të hyra në buxhetin e shtetit së bashku me derivatet dhe automjetet.

“Ne jemi vend importues. Diku rreth 90 për qind ne importojmë ndërsa eksportojmë shumë pak. Importohet gjithçka, duke filluar nga karburantet, mallrat ushqimore, teknika, produktet e IT-së, ato bujqësore”.

“Nëse flasim nga aspekti se cilat mallra sjellin të hyra më shumë atëherë janë derivatet që sjellin të hyra më së shumti në buxhetin e shtetit, pastaj vijnë cigaret dhe automjetet dhe produktet e përgjithshme”, tha Berisha për EO.

Berisha tha se ndryshimet të cilat janë paraparë që të bëhet me pagesën e TVSh-së nga kufiri në brendi do të ndihmojnë dhe lehtësojnë shumë punën e bizneseve. Por, ai tha se kjo ka mbetur në dorën e legjislativit.

“Ministria e Financave ka paraparë që gjatë këtij viti, ka qenë në programin legjislativ që me ligjet e TVSh-së të bartet pagesa e TVSh-së nga kufiri në brendi. Te ne nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh në procedurat tonë doganore për arsye se ne çdo mall i cili do të hynë, në momentin kur do të hynë në fuqi sepse ende nuk ka kaluar në Parlament, do të kalojë të gjitha procedurat doganore, kur është në pyetje pagesa bankare për pjesën e TVSh-së ajo do të shtyhet për një periudhë, varet tash sa do të caktohet, një muaj, dy muaj apo 15 ditë”.

“Kjo nuk e lehtëson punën të Dogana, por të bizneset dhe krijon kushte shumë më të mira, më të favorshme dhe u mundëson bizneseve që të kenë një likuiditet shumë më të madh financiar për zhvillimin e aktivitete biznesore”, ka thënë Berisha.

Share Messenger

Më të lexuarat