Për katër muaj rreth 235 milionë euro nga diaspora

9 Shares Share Messenger

Në katër muajt e parë të këtij viti, rritja e remitancave është për 13.4 milionë euro më e madhe se vitin e kaluar. Rritja e vlerës së dërgesave nga bashkatdhetarët në krahasim me vitin 2016, po ashtu është më e madhe.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Remitencat e pranuara në Kosovë gjatë vitit 2017 shënuan vlerën prej 759.3 milionë euro.

“Remitencat e pranuara në Kosovë gjatë vitit 2017 shënuan vlerën prej 759.3 milionë euro, kurse në vitin 2016 u dërguan 691 milionë euro”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së.

Zëdhënësi BQK-së, Kushtrim Ahmeti, ka thënë për Telegrafin se remitancat në tremujorin e parë të vitin 2018 shënuan rritje krahasuar me vitin paraprak.

“Gjatë katër muajve të parë të vitit 2018, vlera e parave të dërguara nga mërgimtarët arrin në vlerë prej 234.7 milionë euro. Kjo shumë paraqet një rritje prej 13.4 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë kur dërgesat kishin arritur vlerën e 221.3 milionë eurove”, tha për Telegrafin, Ahmeti.

Ai tregon se Gjermania është shteti nga ku kosovarët dërgojnë më së shumti para.

“Shtetet kryesore prej nga vijnë këto dërgesa janë kryesisht ato shtete ku është e koncentruar diaspora e jonë dhe ku prinë Gjermania e përcjellë nga Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Italia, Franca, Suedia, Britania, Belgjika, etj.”, tha zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.

Dërgesat e diasporës, sipas kanaleve të dërgimit, më së shumti dërgohen nga agjencitë për transferim të parave.

Përveç remitencave që dërgohen vazhdimisht në Kosovë, shuma të mëdha të mjeteve financiare emigrantët nga Kosova shpenzojnë edhe kur vijnë për pushime, sidomos gjatë stinës së verës.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në botë vlerësohet se gjatë vitit 2017 janë dërguar mbi 574 miliardë dollarë tek të afërmit nga emigrantët.

“Nepali ka marrë rreth 6.6 miliardë dollarë në remitencat, ekuivalente me 31.3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të saj, ndjekur nga Kirgistani që mori dy miliardë remitenca, ekuivalente me 30.4 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto dhe Taxhikistani ka marrë rreth 1.9 miliard dollarë të barabartë me 26.9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Remitencat nga jashtë gjithashtu barazohen me më shumë se një të katërtën e Produktit të Brendshëm Bruto për Haitin dhe Liberinë. Në nëntë vende të tjera ato ishin ekuivalente në mes 15 dhe 25 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto”, thuhet në raportin e Bankës Botërore, shkruan Telegrafi.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

Share Messenger

Më të lexuarat