Për 1 ditë, tri vdekje të dyshimta në QKUK

Share Messenger

Tre persona kanë vdekur nga tetëmbëdhjetë (18) operime që janë bërë të enjten në QKUK. Ende nuk dihen arsyet e këtyre tri vdekjeve. Drejtori i QKUK-së, Curr Gjocaj thotë se janë duke bërë verifikimet për t’i mësuar shkaqet, teksa thotë se vdekja e tre vetave brenda një ditë mund të ketë qenë koiçidencë.

Vetëm ditën e enjte kanë ndërruar jetë tre persona që po operoheshin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), derisa arsyet për këto humbje të jetëve ende janë të paqarta.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar drejtori i QKUK-së, Curr Gjocaj. Ai ka konfirmuar se tri vdekjet kanë ndodhur në repartet e Neurokirurgjisë, urologjisë, përkatësisht kirurgjisë.

“Prej 18 operimeve, të enjten kanë ndodhur tri vdekje. Një në neurokirurgji, një në urologji dhe një në kirurgji”, ka thënë Gjocaj për Gazetën Online Insajderi.

Shkaqet që dërguan në këto tri humbje të jetëve në QKUK të enjten ende nuk dihen. Drejtori Gjocaj thotë se në QKUK ende janë duke bërë verifikime për të gjetur arsyet. Gjocaj thotë se “ka mundur të ndodhë gjithçka”.

“Ne kemi bërë verifikimet se nga ka mundur të jetë fajtori. Kemi shikuar oksigjenimin e klinikave dhe nuk kemi gjetur që ka pasur diçka të parregullt. Kemi shikuar sistemin e anestizionimit dhe as aty nuk ka diçka jo të rregullt”, ka thënë Gjocaj.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës shprehet se e enjta e javës që kaloi ka mundur të jetë një ditë fatkeqe, ose, siç ka thënë Gjocaj, pacientët që vdiqën teksa po operoheshin “kanë mundur të ndërrojnë jetë për shkak të gabimeve të mjekëve”.

“Ne ende jemi duke bërë verifikime, se a ka ndodhur kjo për shkak të problemeve me shërbimeve anësore apo për faj të mjekëve. Ka mundur të ndodhë gjithçka. Ka mundur që e ënjta të jetë ditë fatkeqe kur ka pasur komplikime dhe pacientët kanë vdekur. Mund të jetë edhe koincidencë që kanë ndodhur kaq shumë vdekje në një ditë”, ka thënë Gjocaj.

Share Messenger

Më të lexuarat