PDK: Kurti braktisi pensionistët, me rezolutë në Kuvend do t’i kërkojmë qeverisë t’i kthejë shtesat

Share Messenger

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu ka mbajtur konferencë për media, ku ka kritikuar vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për uljen e shtesave për mjekët, stafin mbështetës shëndetësor dhe për pensionistët.

Zejnullahu ka thënë se PDK e konsideron skandaloz dhe të ngutshëm këtë vendim të Qeverisë Kurti, në këtë periudhë, kur pritej rritja e mbështetjes ekonomike e financiare për ekonominë e goditur nga pandemia, për mjekët e punëtorët shëndetësorë, si dhe për pensionistët, marrë parasysh shpenzimet për ilaçe që i ka kjo kategori, e cila është edhe më e rrezikuar se grupmoshat tjera nga pandemia.

“Vendimi i kryeministrit Albin Kurti, i marrë në mbledhjen e Qeverisë, për të ulur shtesat për mjekët dhe infermierët për 50 për qind – nga 300 në 150 euro, si dhe për të ndarë vetëm 100 euro për stafin mbështetës teknik është jo i drejtë dhe i papranueshëm, marrë parasysh rrezikun me të cilin ballafaqohen këto kategori gjatë punës së tyre të përditshme në përballje me pandeminë COVID 19. Nuk mjafton vetëm falënderimi për ta, por duhet të ketë edhe vendime e mbështetje konkrete. “, ka theksuar ajo.

Deklarata e plotë e Floretë Zejnullahut:

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Ju faleminderit që keni ardhur në këtë konferencë të vonshme, por mjaft të rëndësishme për interesin e qytetarëve të Kosovës, në rend të parë të punëtorëve, ekonomive familjare, profesionistëve shëndetësorë dhe pensionistëve të cilët janë prekur më së rëndi nga një vendim i djeshëm i qeverisë së Kosovës.

Pikërisht kur pritej rritja e mbështetjes për ekonominë e goditur nga pandemia dhe për mjekët e punëtorët shëndetësorë ndodhi e kundërta – qeveria përgjysmoi ndihmën për disa kategori dhe i anuloi krejt për disa të tjera.

Ne, si Parti Demokratike e Kosovës e kemi marrë me shqetësim këtë vendim të qeverisë Kurti dhe e konsiderojmë skandaloz, të ngutshëm, dhe si një goditje të madhe ndaj heronjve të pandemisë, mjekëve e punëtorëve shëndetësorë dhe ndaj gjyshërve tanë, të cilët fatkeqësisht kanë qenë më të rrezikuarit në këtë kohë të pandemisë.

Vendimi i kryeministrit Albin Kurti, i marrë në mbledhjen e Qeverisë, për të ulur shtesat për mjekët dhe infermierët për 50 për qind – nga 300 në 150 euro, si dhe për të ndarë vetëm 100 euro për stafin mbështetës teknik është jo i drejtë dhe i papranueshëm.

Nuk mjafton vetëm falënderimi për ta, por duhet të ketë edhe vendime e mbështetje konkrete.

Po ashtu, ne shprehim shqetësimin lidhur me vendimin tjetër të Qeverisë për uljen e shtesave për pensionistët nga 120 në 100 euro, marrë parasysh shpenzimet për ilaçe që i ka kjo kategori, e cila është edhe më e rrezikuar se grupmoshat tjera nga pandemia.

Qeveria ka dështuar të mbështesë financiarisht punëtorët, ekonomitë familjare dhe bizneset e prekura nga pandemia duke u ofruar lëmoshë, por jo mbështetje të njëmendtë.

Sepse rrjedhoja e vendimit për mbyllje ishte lakorja e pandryshuar e të infektuarve me Covid-19 dhe ngulfatja e sektorit privat, ndërkohë që pasoja ishte ”eksportimi” i parasë jashtë shtetit.

Ky është përçmimi i radhës që qeveria Kurti i bën qytetarit të Kosovës.

Mungesa totale e vizionit për të qeverisur, e shoqëruar nga papërgjegjësia dhe populizmi, qytetarin e Kosovës e ka vendosur në limitet e ekzistencës së tij të përditshme.

222 milionë e katërqind mijë euro, të parapara për zbutjen e situatës me pandemi, të miratuar në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, janë zëvendësuar me masa sipërfaqësore, përjashtuese e përçmuese nga qeveria Kurti.

Rreth gjysmë milionë euro mbështetje për zyrtarët e Shërbimit Korrektues, Inspektorët e AVUK-ut, Doganave dhe ATK-së janë anuluar nga qeveria Kurti.

Janë ndarë vetëm rreth 4 milionë euro për shtesa për sektorët e rrezikuar direkt nga pandemia, pra sektorin shëndetësor, ndërkaq më herët ishin paraparë 11 milionë euro. Pra, rreth 7 milionë euro më pak.

Për pagat në gastronomi, shtesat prej 50 % janë neto, ndërsa për mjekët, infermierët, policët këto shtesa janë bruto dhe atë të përgjysmuara.

Për skemat pensionale janë ndarë mjete 9 milionë euro më pak se sa ishin ndarë me vendimin e mëparshëm e të anuluar.

Pra me këtë logjikë qeverisëse, Qeveria Kurti me vetëdije po e qon drejt kolapsit ekonominë e vendit, po humb vende pune e po rrezikon mijëra familje.

Me këtë logjikë, Qeveria Kurti po i lë pa përkujdesje shtetërore mjekët, punëtorët shëndetësorë e pensionistët, si disa nga kategoritë më të rrezikuara nga pandemia.

Prandaj, të dashur qytetarë,

Në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të Grupit Paralmentar të PDK-së ku do të diskutohet pikërisht për situatën e pandemisë do të kërkojmë që kategoritë e rrezikuara të stimulohen dhe mbështeten financiarisht, duke përfshirë mjekët, punëtorët shëndetësorë, pensionistët, policët.

Share Messenger

Më të lexuarat