PDK: Gënjejnë publikisht dy kandidatët për Kryetar të Ferizajt

Share Messenger

Dega e PDK-së në Ferizaj ka akuzuar dy kandidatët për Kryetar të Komunës së Ferizajt, Faton Topalli dhe kryetarin aktual i Ferizajt se kanë filluar të degradojnë fushatën zgjedhore të zgjedhjeve komunale, duke përdorur gënjeshtrat si mjete për mbështetjen me votë nga qytetarët e Ferizajt.

Sipas PDK-së, kandidati i Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Faton Topalli në deklarimet e tij publike në media qendrore dhe lokale, ka theksuar se Plani Zhvillimore Komunal (PZHK), mjaft i diskutuar kohëve të fundit, është miratuar edhe me votat e anëtarëve të PDK-së, pjesë e Kuvendit Komunal.

“Ky deklarim është i pavërtetë dhe tendencioz ku fare lehtë nga procesverbalet e mbledhjes përkatëse mund të evidentohet se anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së nuk kanë votuar pro, ku prezent kanë qenë edhe anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e LVV-së. Përdorimi i gënjeshtrave në publik, flet mjaft për mungesën e vizionit dhe programit për të qeverisur me Ferizajn. Opinioni ferizajas fare mirë e di se janë pikërisht ata (LVV) që sollën në pushtet kryetarin aktual, kryetar në ikje, Muharrem Svarqa”, thuhet në reagim.

Në reagim theksohet se kandidati i LVV-së për kryetar komune, personalisht ka votuar kryesuesin e Kuvendit Komunal (anëtarë i LDK-së).

“ Po kështu, edhe Lëvizja Vetëvendosje!, si grup parlamentar në Kuvendin Komunal të Ferizajt, ka marrë pjesë në komisionet komunale të aksionarëve për ndërmarrjet publike, komisione këto që kanë vulosur keqqeverisjen e pushtetit Svarqa. Mesazhet që po përçon kandidati Topalli, janë dëshmi për lidhjet e tij me pushtetin aktual duke e keqqeverisur Ferizajn për 4 vite, dhe mungesën e programit zgjedhor për t’ia ofruar qytetarëve”, theksohet tutje.

PDK thekson se kryetari aktual Svarqa, në panik, ka filluar kinse me realizim e projekteve kapitale, duke humbur komplet arsyen dhe legjitimitetin e vendimeve që po merr.

“Rast i fundit është ai i raportuar nga mediat lokale (RTV TEMA), ku kryetari aktual flet me pompozitet se ka shtruar 5km rrugë në fshatin Prelez i Muhaxherëve e në fakt bëhet fjalë për 0.34km ose 340m rrugë të asfaltuar. Ky pushtet, që synon të shes si punë të sajën, gënjeshtra lehtësisht të dallueshme, meriton të ik. Ai do të ik, më 22 tetor, bashkë me gënjeshtrat që i bëri qytetarëve të Ferizajt”, thuhet në fund të reagimit.

Share Messenger

Më të lexuarat