Osmani: LDK e voton demarkacionin kur kryeministri Haradinaj të kërkojë falje

3 Shares Share Messenger

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta votojë demarkacionin me Malin e Zi, vetëm atëherë kur kryeministri Ramush Haradinaj kërkon falje publike para qytetarëve, pasi ishte ai që kundërshtonte më herët, kurse tash e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës për miratim të njëjtin dokument.

Ketë qëndrim të LDK-së e ka shprehur anëtari i kryesisë së LDK-së, Naser Osmani.

“Ne do të votojmë duke marrë parasysh që jemi një parti shtete formuese, institucionaliste, vetëm atëherë kur pozita siguron votat e saja ne do ta ndihmojmë dhe do të votojmë atëherë kur kryeministri i Kosovës del dhe kërkon falje publike, para qytetarëve të Kosovës, për krejt atë që ka ndodh në kohën kur është proceduar i njëjti dokument të cilin ky kryeministër e ka votuar me dorën e vet në mbledhjen e Qeverisë dhe të njëjtin dokument e ka proceduar në Kuvend “, tha Osmani, për Kosovapress.

Ai ka thënë se tashmë qëndrimi i LDK-së është i ditur dhe ai është i njëjti.

“Lidhja Demokratike ka krijuar qëndrimin e saj politik dhe praktik lidhur me demarkacionin në kohën kur Komisioni ka kryer punën e saj në kohën kur është verifikuar puna e Komisionit nga Komisioni ndërkombëtar të cilën e ka ngritë presidentja. E ka ngrit qëndrimin e saj politik të bazuar në të dhënat konkrete të disponueshme në të dhënat nga ajo që Kosova ka fituar pavarësinë, Kosova është administruar më herët. Kosova është çliruar mbi bazën e atyre hartave. Ky është qëndrimi edhe sot i LDK-së “, tha Osmani.

Ndryshe, Qeveria në një mbledhje të saj e ka miratuar Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, dhe e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës. Nuk dihet se kur Kryesia e Kuvendit do të vendos për ta proceduar këtë marrëveshke për miratim në seancë plenare.

Share Messenger

Më të lexuarat