Osmani: LDK e ka pasur gjithmonë synim koalicionin me PDK-në, po e marojnë një kulaç që të kënaqen të gjithë

Share Messenger

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kritikuar përsëri ish-partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, se i kanë bërë të padrejtë kur e kanë larguar nga pozita e nënkryetares.

Kryeparlamentarja ka komentuar edhe takimet që kanë zhvilluar së fundi partnerët e koalicionit LDK- AAK e Nisma Socialdemokrate në të cilin takim është përfolur se PDK-ja do të mund t’i bashkohet Qeverisë Hoti. Gjithashtu ajo ka komentuar edhe takimin e liderit të AAK-së me presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.

Osmani ka pohuar se LDK-ja ka pasur gjithmonë synim që te jetë në koalicion me PDK-në.

“Natyrisht, unë nuk jam pjesë e takimeve të tilla sepse nuk jam pjesë e kalkulimeve që e kanë sjellë qeverinë aktuale në pushtet. Që kanë qenë mbi të gjitha kalkulime të pandershme edhe të cilat herët a vonë do ta marrin përgjigjen e merituar nga ana e qytetarëve të Kosovës. Nuk kanë ku i ikin verdiktit qytetar, pavarësisht a nesër, a pasnesër, a janë në pranverë zgjedhjet, ata prapë do të dalin tek te njëjtit qytetarë dhe do ta marrin përgjigjen e merituar për këto veprime dhe kalkulime që i kanë bërë”, deklaroi ajo për Telegrafin.

Sipas Osmanit, zgjerimi i koalicionit nuk ka të bëjë më zhvillimet e mundshme nga Gjykata Speciale.

“Sa i përket zgjerimit të koalicionit, pavarësisht zhvillimeve me Gjykatën Speciale, synimi për të qenë në koalicion me PDK-në është shumë më i hershëm i njerëzve aktual në LDK. Shumë më i hershëm i njerëzve që tash janë në Qeveri. Pra, pavarësisht se a do të kishte apo jo aktakuzë, ky ka qenë qëllimi i tyre në thelb. Çështjen e Speciales e përdorin si arsyetim. Ka qenë qëllimi kryesor që të jetë një koalicion LDK-PAN menjëherë pas rrëzimit të koalicionit LDK –LVV.

Unë jam e bindur që nuk e kanë bërë këtë prej fillimi, për shkak se ka qenë një rezistencë tek disa deputetë shtesë të LDK-së. Megjithatë, e kanë pas synim nga fillimi, jo vetëm që mendoj sepse i kam parë zhvillimet”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.

Osmani thotë se në LDK ende ka njerëz që nuk janë pro koalicionit me PDK-në, por që sipas saj, ata që marrin vendime në LDK e kanë pasur gjithmonë këtë synim.

Si përfundim, Osmani thotë se është vetëm çështje se kur LDK-ja do ta ftojë në PDK-në në Qeveri, duke shtuar se diskutimet tani mes tyre janë duke u bërë në logjikë tregtare.

“Ka qenë vetëm çështje kohe se kur do ta ftojnë PDK-në në Qeveri. Tashmë është çështje e pazarit, është logjikë tregtare, po e marojnë një kulaç të ri, në mënyrë që të kënaqen të gjithë. Është logjike tregtare që fare nuk lodhen se çfarë ka kërkuar sovrani në zgjedhjet e fundit. Rezultati edhe mund të jetë zgjerimi i një koalicioni, por që do ta kenë të kotë sepse vetëm që do tu japin qytetarëve sidomos votuesve të LDK-së, një arsye më tepër për ta parë se si është keqpërdorur vota e tyre. Shumë dyer do të iu përplasen, nuk është që ka mbet shumë fytyrë të ta”, tha mes tjerash Osmani.

Share Messenger

Më të lexuarat