Nuk aderoi askush në LDK: Mustafës i duken ardhacakë të sferave sociale ardhjet te rivalët

Share Messenger

Pas shpërbërjes së Kuvendit të gjitha partitë politike nisën përgaditjen e fushatës për zgjedhje, dhe në shumë subjekte aderuan figura nga sfera të ndryshme, kryesisht në PDK, AAK dhe VV, ndërsa në LDK’në e Isa Mustafës nuk u panë lëvizje të tilla. Si duket kjo e ka bërë kreun e kësaj partie të thumbojë rivalët e tij duke u shprehur se në listën për deputetë të partisë së tij nuk ka ardhacak, shkruan Gazeta Metro.

Ish-kryeministri i Kosovës thotë se garanton elektoratin e LDK’së se të gjithë emrat që janë në listën për deputetë janë njerëz të LDK’së.

“Lista e LDK’së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit nga partitë e tjera ose sferat sociale. Është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së”, ka shkruar Isa Mustafa në rrjetin socail Facebook.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Lista e LDK-së për deputetë përfaqëson identitetin dhe vlerat e Kosovës
Veprimtare e veprimtarë me dije dhe profesione, të respektuar në mjedisin ku jetojnë për punën dhe sjelljen e tyre. Është kjo cilësi themelore e të gjithëve.
Renditja nuk është kriter i vlerës dhe meritës. Po të ishte e mundur të gjithë do të kishin një numër, në rrafsh me prijësen e listës dhe kandidaten për Kryeministre, Vjosa Osmani.
LDK ka njerëz me të cilët do të qeveris me standarde evropiane të dijes e me përgjegjësi e ndërgjegje familjare e ligjore. Lista jonë siguron që ligjet në të ardhmen të mos aprovohen në Parlament nga ata që kanë probleme me shtetin ligjor.
Lista reflekton një diversitet specifik: akademikë, profesorë universitar, kuadro të shquara të kulturës, të biznesit, ministre dhe ministra të suksesshëm, mësues, drejtues shkollash e biznesesh, inxhinierë, juristë, ekonomistë, mjekë… Të gjithë të përkushtuar, në rend të parë, për shtetin e Kosovës – KOSOVACENTRIZMIN. Të përcaktuar që Kosova të forcohet ekonomikisht, kulturalisht dhe ndërkombëtarisht, pa ia prekur askush kufijtë, shtetësinë dhe simbolet e saj. Ta ndërtojmë një Kosovë evropiane, në miqësi të përhershme me SHBA-të, ashtu siç e predikonte Presidenti ynë i Parë, dr. Ibrahim Rugova.
Lista e LDK-së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit nga partitë e tjera ose sferat sociale. Është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së. Ata që e kishin mendjen na u bashkëngjiten në procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake. Lista përfaqëson kandidatët që janë propozuar nga çdo cep i Kosovës, të cilët kanë marrë parkrahjen e të gjitha organeve të LDK-së, atyre lokale dhe qendrore. Prandaj ne garantojmë para qytetarëve për çdonjërin që e kemi në listë se është i yni. Ndërkaq qytetarët vendosin për vlerat tona dhe vlerat e çdonjërit veç e veç! E LDK iu beson qytetarëve të Kosovës, e bindur se kemi vetëm një atdhe dhe vetëm një popull që vendos për te!

Kujtojmë që zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen me 6 tetor.

Share Messenger

Më të lexuarat