Nga sot banorët e Prishtinës paguajnë për parking, mësoni çmimet sipas zonave

Share Messenger

Nga sot në Prishtinë nis zbatimi i projektit të menaxhimit të parkingjeve publike dhe pagesa për çdo makinë në hapësirat që janë të shënjuara në rrugë.

Kështu ka bërë të ditur të martën kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë një konference për media ku edhe bërë prezantimin e projektit.

“Kemi bërë një zgjidhje që do t’i adresojë shumë gjëra. Do të bëjmë zvogëlimin e veturave në qendër. Nga nesër do të fillojmë zbatimin e pagesës për çdo makinë në hapësira që janë të shënjuara në rrugë. Nga nesër po ashtu fillon fushata një javore vetëdijësuese në krejt qytetin”, u shpreh ai.

Ahmeti tha se për personat që nuk janë banorë rezidentë të Prishtinës, për ta kufizimi vlen prej dy orësh.

Ai ka shtuar se mundësia e parë e pagimit të parkingut është përmes aplikacionit Prishtina Parking, ndërsa, opsioni i dytë është përmes operatorëve Ipko e Vala.

“Mundësia e tretë e kemi me një pajisje që quhet ‘Parking metër’ kryesisht vlen për biznese. Mundësia e katërt është përmes biletave fizike që blihen në postë”, shtoi ai.

Kryetari Ahmeti tha se banorët e Prishtinës kanë afat që deri më 28 shkurt të marrin kartën rezidente të tyre.

“Ky aplikacion ma mundëson që të dimë se ku është problemi më i madh i parkingut në Prishtinë. Janë disa parkingje si atje në Dardani, te Santea e te Ramiz Sadiku ku parkingu do të jetë më vlerë me të ulët. Qytetarët kanë afat deri më 28 shkurt për të marrë karta rezidente të cilat kanë çmime të ndryshme në varësi prej lagjes në të cilën jetojnë. Çmimi shkon deri 7 euro në muaj ose 100 euro në vit. Mundësia e dallavereve është e vogël”, shtoi ai.

Ndryshe, Ahmeti dje ka bërë të ditur se për zonën 1, rruga Agim Ramadani deri te Pallati i Rinisë, parkingu për banorët rezidentë në muaj kushton 10 euro ose 100 euro për vit. Në zonën dy, Dardania, Bregu i Diellit, do të kushtojë 7 euro në muaj ose 70 euro në vit, ndërsa në zonën 3 do të jetë 5 euro në muaj ose 50 euro në vit.

Share Messenger

Më të lexuarat