Mustafa u drejtohet qytetarëve: 50 ditë entuziazëm, sfidë, mund e kënaqësi të ju shërbej me nder e përulje

Share Messenger

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa i është drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, një ditë pas rrëzimin të Qeverisë Kurti, me një letër ku ka listuar një numër të madh punësh ka bërë në 50 ditë sa ishte ministër.Ai i cilësoi këto 50 ditë, ditë me plotë entuziazëm, sfidë, mund e kënaqësi.Mustafa tha se këto punë që i kanë kryer por edhe projekte të tjera do t’i monitorojnë me të njëjtin përkushtim, duke shtuar se shërbimi ndaj qytetarëve e vendit nuk njeh kufij.“Këto punë dhe shumë projekte tjera që i nisëm do t’i monitoroj e kujdestaroj me të njëjtin zell e përkushtim. Shërbimi ndaj vendit dhe qytetarëve nuk njeh kufi. Kosova më lindi, ushqeu e rriti. Amerika më shkolloi, më dha dijen dhe profesionalizmin. LDK më dha frymën e bashkimit, bashkëpunimit, kompromisit, miqësisë me aleatët dhe përpjekjes për interesat e vendit mbi çdo gjë tjetër. Në këtë rrugëtim, nuk ndalem kurrë!”,shkroi ndër të tjera Mustafa.Postimi i plotë:I çmuari vendi im,50 ditë entuziazëm, sfidë, mund e kënaqësi të ju shërbej me nder e përulje ku ndjeva peshën e përgjegjësisë publike, më të rëndësishmes e njëkohësisht më sfidueses në jetën time. Si ministër i një ministrie që kryefjalë ka bujkun, punova për ta e bashkë me ta me vullnetin e përkushtimin më të madh, me kapacitetet e mija të plota profesionale, duke pas gjithmonë parasysh nevojën e prodhimit të ushqimit për mbi 300.000 familjet tona. Punova gjatë e pandërprerë, për të shënjuar dobësitë e punët e këqija të trashëguara tash e sa vite.Trashëgova një borxh ndaj bujqve prej 25.5 milionë eurosh nga vitet 2018 dhe 2019. Menjëherë pas miratimit të buxhetit intensifikuam pagesat e këtyre borxheve dhe realizuam pagesat për 1.868 fermerë në vlerë prej 2.621,345.97 eurove.Gjeta 151 të punësuar me kontrata afatshkurtra, që u është kërkuar të menaxhojnë nga 50 milion euro subvencione dhe grante çdo vit, gjithnjë nën presionin që “mund të të mos vazhdohet kontrata”. Bëra pezullimin parandalues të 7 zyrtarëve, 3 prej të cilëve zyrtarë të lartë, pas konfirmimit të aktakuzës nga Prokurori i Shtetit. Por hasa edhe në qindra shërbyes civil të ndershëm e punëtor që mezi kanë pritë mundësinë të shkrijnë mendjen e mundin për vendin e tyre.Me Ambasadën e Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, Italisë e Francës dhe me shumë organizata e donatorë u zotuam të punojmë fort për fuqizimin e bujqësisë. Prioritizuam akreditimin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, të lënë anash keq me vite, për të rritur transparencën në ndarjen e subvencioneve dhe granteve dhe për të mundësuar menaxhimin e drejtpërdrejt të fondeve të BE-së. Nisëm edhe punën për mbrojtjen e treguesit gjeografik të verës së Rahovecit.Nisa reformat ligjore për dhënien në shfrytëzim të tokave pyjore për të zhbllokuar investimet strategjike gjermane në energji te ripërtëritshme, në pritje qe 2 vite, në vlerë prej 169 milion euro.Për t’i zgjatur dorën bujkut prodhues në këtë gjendje emergjente që të sigurojë më shumë ushqim për familjet tona riorganizova programet mbështetëse të Ministrisë, me përqendrim tek të mbjellat pranverore dhe sigurimet bujqësore, që të rrisim sasinë dhe cilësinë e ushqimit që prodhohet nga bujqit tonë, nga toka jonë, për familjet tona.Në koordinim me homologët në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, sigurova korridorin e furnizimit me ushqim për blegtorinë dhe shpezëtarinë, duke evituar kështu një krizë për këta dy sektorë që prodhojnë bulmet, mish dhe ve për familjet tona.Shtyva afatet e implementimit të projekteve të granteve përfituese, që bujqit të mos ndëshkohen pa fajin e tyre nëse ngecin në implementim. Këtu më janë bashkangjitë bankat në Kosovë duke implementuar masa lehtësuese për këto projekte përfituese. Shtyva edhe afatet për marrjen dhe vazhdimin e lejeve dhe licencave që ndërlidhen me fushën e hortikulturës, produkteve për mbrojtjen e bimëve, plehrave, mbrojtjes së bimëve, farërave, blegtorisë, pylltarisë, verëtarisë dhe shërbimeve këshilluese për bujqësi.Këto punë dhe shumë projekte tjera që i nisëm do t’i monitoroj e kujdestaroj me të njëjtin zell e përkushtim. Shërbimi ndaj vendit dhe qytetarëve nuk njeh kufi.Kosova më lindi, ushqeu e rriti. Amerika më shkolloi, më dha dijen dhe profesionalizmin. LDK më dha frymën e bashkimit, bashkëpunimit, kompromisit, miqësisë me aleatët dhe përpjekjes për interesat e vendit mbi çdo gjë tjetër.Në këtë rrugëtim, nuk ndalem kurrë!

Share Messenger

Më të lexuarat