Ministri i Ekonomisë ka një kërkesë për KEDS-in për ditën e zgjedhjeve

Share Messenger

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit në detyrë, Muharrem Nitaj, ka takuar sot menaxhmentin e KEDS-it, ku ka kërkuar që në ditën e zgjedhjeve të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike

Nitaj kërkoi nga menxhmenti i KEDS-it që të ketë furnizim të mirë me energji elektrike në tërë territorin e Republikës së Kosovës gjatë këtyre ditëve, kur temperaturat kanë rënë nën zero.

“Po ashtu porosi e veçantë e ministrit Nitaj ishte që të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike në asnjë qendër të votimit gjatë 14 shkurtit, kur në Kosovë mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare”, thuhet në një njoftim të ministrisë.

Menaxhmenti i KEDS-it e njoftoi Nitajn se situata më problematike mund të paraqitet në Komunën e Malishevës, si pasojë e problemeve të trashëguara më parë.

Nitaj kërkoi nga KEDS-i që paraprakisht të sigurohen mundësi alternative të furnizimit me energji elektrike gjatë ditës së votimeve në të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë.

“KEDS u zotua që do të bëjë çdo gjë që është e mundur që furnizimi me energji elektrike të mos mungojë gjatë ditës së votimit, ndërsa njoftuan që ekipet do të dalin në terren për të kontrolluar gjendjen e stabiliteteve teknike në objektet, të cilat do të jenë si qendra votimi”, thekson njoftimi.

Share Messenger

Më të lexuarat