Masa të larta sigurie në prag të inaugurimit të Bidenit

Share Messenger

Zyrtarët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se po marrin të gjitha masat paraprake gjatë inaugurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden, për të mbrojtur nga një sulm i mundshëm. Sipas tyre në kontrollin e sigurës të mërkurën në Kapitol të SHBA janë përfshirë nga FBI-ja të 25 mijë anëtarë të Gardës Kombëtare të dislokuar në Uashington për ceremoninë.

“Megjithëse nuk kemi informacione zbulimi për ndonjë kërcënim të brendshëm, ne nuk po lëmë asnjë gur pa kthyer për të siguruar kryeqytetin,” tha në një deklaratë sekretari në detyrë i Mbrojtjes Christopher Miller.

Ai tha se trupave po u bëhet trajnim shtesë ndërsa mbërrijnë në Uashington dhe u është thënë se “nëse shohin ose dëgjojnë diçka që nuk është e përshtatshme, t’ia raportojnë atë eprorëve të tyre në zinxhirin e komandës.”

Raportet e zbulimit amerikan kanë lënë të kuptohet që disa protestues që besojne se presidenti në largim Donald Trump u privua nga rizgjedhja për shkak të mashtrimeve me votat, mund të përpiqen të prishin ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e zotit Biden.

Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të pashembullta të sigurisë, që nuk janë parë në inaugurimet e kaluara.

Siguria është më në qendër se zakonisht, ndërsa inaugurimi vjen dy javë pasi mijëra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin pasi ai i nxiti ata të marshonin drejt ndërtesës, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfirmuar fitoren e zotit Biden.

Zona e afërt përreth Kapitolit, ku zoti Biden dhe zonja Harris do të bëjnë betimin, është kthyer praktikisht në një fortesë të blinduar.

Pjesa më e madhe e kremtimit të inaugurimit të zotit Biden do të zhvillohet virtualisht, me grupe dhe banda muzikore që do të interpretojnë nga të 50 shtetet e SHBA-së.

Megjithë shqetësimet e shtuara të sigurisë, Biden planifikon ta bëjë ceremoninë e inaugurimit në vendin tradicional.

Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ose të urojë zotin Biden, megjithëse e pranon se do të ketë një “administratë të re” të mërkurën.

Trump po planifikon të largohet nga Uashingtoni të mërkurën në mëngjes me një ceremoni me tapet të kuq ndërsa shkon drejt avionit presidencial Air Force One për të shkuar në rezidencën e tij në Florida.

Share Messenger

Më të lexuarat