Maas: Gjermania do të angazhohet për heqje të shpejtë të vizave për Kosovën

Share Messenger

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, ku thuhet se gjatë takimit i është dhënë mbështetje synimeve të qeverisë për reforma në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në njoftimin e qeverisë thuhet se kryediplomati gjerman ka deklaruar se vendi i tij do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë.

“Ministri deklaroi se gjatë presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte në krye të agjendës. Ai konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave”, thuhet në njoftimin e Qeverisë, raporton Zeri.

Tutje ne këtë njoftim theksohet se temë e takimit ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, ku kryediplomati gjerman konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për dialog dhe normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se “qeveria e re garanton mjedis të sigurt për investime”, dhe se “Kosova do të mirëpriste investimet e përbashkëta të mërgatës dhe investitorëve gjermanë”.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministri Maas biseduan për hapat konkretë për bashkëpunimin e mëtejmë mes dy vendeve.

Share Messenger

Më të lexuarat