Lista e Veselit të PDK-së ka kandidatë për deputetë të akuzuar

Share Messenger

Kadri Veseli dhe PDK-ja e tij e kanë zbritur vetëm në korrupsion, nepotizëm e keqpërdorim, kriterin e të akuzuarve për t’u futur në listë si kandaditë për deputetë.

Së paku dy nga 110 kandidatë, emrat e të cilëve u publikuan tek sot nga partia e Veselit, kanë aktakuza. Janë Xhavit Haliti dhe Mërgim Lushtaku, i pari nënkryetar i Kuvendit e tjetri deputet në legjislaturën e kaluar. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk janë të akuzuar për korrupsion.

Halitit i është ngritur aktakuzë para afro dy muajsh për një kontakt fizik që kishte ndodhur më 18 maj 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi. Aktakuzën e kishte ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë, derisa sipas burimeve të Kohës Ditore, gjykimi për këtë nuk ka nisur ende.

Përpos tij, me aktakuzë është ngarkuar edhe deputeti nga radhët e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, i cili pretendohet se në të njëjtën ditë ka kërcënuar deputetin Gashi. Sipas aktakuzës së 31 majit të atij viti, Haliti akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm”, ndërsa Dreshaj për veprën penale “kanosje”.

Koha.net ka kontaktuar me Xhavit Halitin, i cili nuk ka dashur të komentojë rreth kësaj çështje.

“Paj, po më pengoni se jam qitu zënë”, ka thënë shkurt Haliti, për ta mbyllur telefonin menjëherë.

Ndërkaq, ish-deputeti Mërgim Lushtaku, vazhdon të përballet me drejtësinë në rastin e njohur si “QKUK”, në të cilin është i akuzuar edhe babai i tij, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, pas arratisjes nga QKUK-ja.

Mërgim Lushtaku akuzohet për veprën penale lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria. Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Koha.net, të dielën mbrëma ka kontaktuar edhe ish-deputetin Mërgim Lushtaku. Ai ka kërkuar që pyetja t’i dërgohet në adresën e tij elektronike. Portali e ka pritur për fiks një orë, por Lushtaku nuk ka kthyer përgjigje.

Koha.net ka pyetur edhe Zyrën për Media të Partisë Demokratike të Kosovës në lidhje me këto nominime. Në një përgjigje me shkrim, kjo zyrë i ka thënë portalit se “kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar në ditën që është bërë kryetar i PDK-së se nuk do të ketë në listat e PDK-së asnjë person që ka aktakuza për korrupsion, nepozitëm dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Ndërkohë, në një postim në profilin e tij në Facebook, më 3 shtator, Veseli ndër të tjera pati shkruar: “Të gjithë ne duhet të pajtohemi për gjërat më themelore, siç është hyrja në këto zgjedhje me lista të kandidatëve pa aktakuza dhe zotimi për krijimin e qeverisë së ardhshme me njerëz të pakomprometuar. Qytetarët presin vepra e jo fjalë dhe ne duhet të vendosim një standard të ri etik”.

Kishte shkruar kështu kur i kishte thirrur partitë tjera që t’i bashkohen në nënshkrimin e një Pakti Kundër Korrupsionit. Të gjitha partitë e kanë refuzuar Veselin, duke e cilësuar si hipokrite.

Share Messenger

Më të lexuarat