Limaj: Kanë dalë disa ‘pishpirika’ po na tregojnë kush e don Kosovën më shumë

Share Messenger

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj thotë se ky koalicion do të jetë befasi e zgjedhjeve të 6 tetorit. Limaj thotë se këto tri parti janë bashkuar në një vizion, për t’i shërbyer vendit. Sipas tij, Kosova ka nevojë për bashkim, për njerëz me përvojë.

Në hapje të fushatës në Prishtinë, kreu i Nismës Socialdemokrate para qytetarëve, tha se atdhedashurinë e kanë dëshmuar kohë më parë, për çka sipas tij, garuesit të tjerë për zgjedhjet e 6 tetorit i kanë vetëm fjalë.

“Në studio televizive na kanë dalë disa ‘pishpirika’ e po na tregojnë se kush po e donë më shumë Kosovën, ata edhe kur të shihni ngrohtë atje mirë, pa asnjë telashe hiç, rehat po, dhe asnjë nuk e kursen fjalën se kush e donë më shumë Kosovën. Cili është dallimi i jonë me ta? Dallimi ynë me ta është se nuk ka asnjë gjë më të shenjtë për një njeri se familja, e kur e ka lyp Kosova, ne e kemi sakrifikuar familjen, për t’i shërbyer Kosovës. Edhe ne kemi fëmijë, edhe ne kemi pasur familje, vëlla e motër, por kur ka ardhur për të zgjedhur familjen dhe atdheun, ne kemi zgjedhur familjen dhe kemi sakrifikuar vetveten”, tha ai.

Ai duke përmendur partitë tjera garuese, tha se do të bëjnë “llug” Kosovën në rast se do të udhëheqin vendin.

Limaj tha se koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë zëri i grave, ai u zotua se ato më nuk do të jenë të abuzuara dhe nuk do u shkelën të drejtat e tyre.

Në hapje të fushatës zgjedhore, sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha se prova më e mirë se “bashkimi bënë fuqinë”, është koalicioni Nisma-AKR-PD. Ai tha se Kosova gjendet para sfidave të mëdha, derisa u shpreh i bindur se ky koalicion do të jetë fitues.

“Le t’i shfrytëzojmë këto ditë që kanë mbetur të fushatës zgjedhore dhe të shkojmë shtëpi-shtëpi, lagje-lagje, fshat për fshat, dhe të qojmë vizionin dhe misionin e Limajt te të gjithë shtëpitë shqiptare. Nëse ne e bëjmë punën tonë, të gjithë aktivistët, pa marrë parasysh a janë të Nismës, AKR-së apo PD-së, pa marrë parasysh se a janë simpatizantë të njërës apo tjetrës, nëse punojmë të bashkuar dhe shkojmë derë më derë, shtëpi për shtëpi, fitorja do t’i takoj këtij koalicioni”, tha Sherifi.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli përmes një vide-mesazhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se koalicioni Nisma-AKR-PD do të kthejë besimin e qytetarëve për vendin e tyre.

Pacolli: Koalicioni ynë do të sjell ndryshime për vendin Video “Prandaj, sot edhe ju edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës jemi me ju në Prishtinë. Po nisim rrugëtimin e fitores së koalicionit tonë, i cili do të sjell ndryshime për Kosovën. Dhe e bëjmë vendin tonë të begatshme për të gjithë. Koalicioni ynë me Nismën dhe PD-në do të luajnë rolin vendimtar në qeverisjen e ardhshme, e cila do t’i sjell vendit zhvillim ekonomik dhe vende të punës dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikën”, tha Pacolli.

Miqësia me ndërkombëtarët, Pacolli tha se do t’i garantojë Kosovës vend të sigurt në OKB, BE dhe organizata të tjera.

Kreu i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani tha se qytetari i Kosovës meriton një qeverisje të denjë, ai u zotua se koalicioni i tyre është zgjedhja më e mirë.

Ai ka ftuar që të votojnë, ndershmërinë, profesionalizimin dhe vlerat, e jo siç tha ai, arrogancën e atyre që kanë premtime të pa plotësuara nga zgjedhjet në zgjedhje, të cilët mundohen të hutojnë prapë qytetarët e vendit.

“Premtimi ynë është se nuk do të gënjejmë, koalicioni ynë nuk ofron fjalë të thata, brenda secilit prej nesh i qëndron atdhedashuria, puna e përkushtuar dhe jeta e ndershme. Jemi bashkuar për shtetin e Kosovës, për të kthyer dinjitetin e tij, me udhëheqës të besueshëm, që për asnjë interes nuk do të bëjnë kompromise, në dëm të interesa kombëtare dhe shtetërore”, tha Agani.

Jakup Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate tha se sa më e madhe të jetë përkrahja për kryetarin e tij, Fatmir Limaj aq më e fuqishme do të jetë Kosova. Ai tha se me 6 tetor slogani duhet të mbështet kryetarin e tij.

Ndryshe, sot ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore, derisa zgjedhjet do të mbahen me 6 tetor.

Share Messenger

Më të lexuarat