Liberalizimi i vizave për Kosovën: Ky është lajmi i fundit

Share Messenger

Komisioni Evropian, edhe njëherë i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta çojë përpara procecin e liberalizimin të vizave për Kosovën.

Së fundmi, akterë politikë në Kosovë kanë bërë sërish thirrje karshi BE-së që sa më parë të hiqen barrierat për lëvizjen e qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të BE-së, përfshirë, kryeministrin Albin Kurti.

Zyra për media e Komisionit Evropian, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, ka kujtuar edhe njëherë se Kosova, i ka përmbushur kriteret e kërkuara, prandaj, kjo nuk ka ndryshuar pozicion rreth liberalizimit të vizave.

“Komisioni Evropian konfirmoi në korrik të vitit 2018 se Kosova i përmbushi të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Vlerësimi ynë qëndron ende. Pas votimit të Parlamentit Evropian në vitin 2019, tani i takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara këtë çështje. Ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë para me heqjen e vizave për Kosovën”, u tha në përgjigjen për Reporteri.net.

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk ka ende liberalizim të vizave, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

Liberalizimi i vizave Kosovës i është premtuar që nga viti 2011.

Ndërkaq, në vitin 2018 Komisioni Evropian ka konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së heqjen e regjimit të vizave. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Nga Bashkimi Evropian nuk ka asnjë lëvizje drejt vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndonëse janë shpeshtuar thirrjet që kjo të ndodhë.

Share Messenger

Më të lexuarat