Ky është parashikimi i Nexhmedin Spahiut, për daljen e vendit nga kriza politike

Share Messenger

Kosova është futur në bllokadë institucionale, por nga kjo bllokadë do të dilet me bashkimin e Aleancës Kosova e Re me koalicionin PAN.

Kështu, PAN-i bashkë me AKR-në do ta formojnë qeverinë, ka thënë në një prononcim për klankosova.tv, analisti politik, Nexhmedin Spahiu.

“Unë besoj se nga bllokada do të dilet, pasi AKR-ja do të bëhet pjesë e qeverisë duke iu bashkuar koalicionit PAN. Këtë e kam thënë menjëherë pas zgjedhjeve dhe i qëndroj këtij konstatimi”, ka deklaruar Spahiu për Klanin.

Madje, sipas tij, krizë e bllokadë do të mund të mos kishte fare po të mos tregohej shumë koprrac PAN-i e tepër kërkuese AKR-ja.

“Duhet të ceket se problemi ka filluar me koprracinë e PAN-it, pasi në fillim është treguar shumë koprrac karshi AKR-së, duke e bërë këtë parti që të shikojë alternativa të tjera për veten. Pra, gjithë ky ngërç i deritanishëm ka buruar nga koprracia e PAN-it dhe dëshira e AKR për të shfrytëzuar mundësinë e përftimit joproporcionalisht hise”.

Pavarësisht asaj se nga kjo krizë do të dilet me këtë bashkëpunim, Spahiu thotë se është e domosdoshme të rishikohet edhe një herë kushtetuta e vendit dhe të pamundësohen ngërçe të tilla.

“Kosova duhet ta ndryshojë kushtetutën sa i përket pjesës së formimit të institucioneve, pasi interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryeparlamentarit e ka komplikuar situatën, prandaj duhet edhe njëherë të rishikohet kjo çështje”.

Spahiu e ka edhe një propozim se si duhet të duket ndryshimi.

“Ndryshimi do të mund të bëhej kështu; pavarësisht nga koalicioni parazgjedhor, apo pas zgjedhor, kryetari i parlamentit duhet të zgjedhet nga kushdo që i ka votat. Njëjtë edhe kryeministrit. Presidenti do të duhej ta mandatojë këdo që ia dëshmon se i ka 61 e më shumë vota. Nëse presidenti do të refuzonte atëherë do të duhej që vetë deputetët që e kanë shumicën ta formojnë qeverinë dhe të mos kemi bllokada të tilla”.

“Ndryshimet do të duhet të bëhen jo kur të afrohemi në prag të zgjedhjeve, ku partitë duke parë fuqinë e tyre në terren do të kalkulonin, por menjëherë tani pas formimit të këtyre institucioneve”.

Share Messenger

Më të lexuarat