Kusari Lila thotë se konferenca e Abazit ishte skandaloze

Share Messenger

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka quajtur skandaloze konferencën në të cilën deputeti, Haki Abazi i ka përmendur disa video-incizime që tregojnë se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.

“Ajo konferencë mendoj që ishte skandaloze në krejt kuptimin e fjalës prej thirrjes e deri tek pretendimet atje, të tjerat as nuk dua t’i komentoj”, ka thënë Kusari-Lila në emisionin “ResPublika” në Tëvë1.

Tutje ajo ka thënë se çështjet e mostrave i takojnë organeve të rendit, ndërkaq tha se akuzat tjera të ish-zëvendëskryeministrit, Haki Abazi janë të banalizuara dhe të panevojshme.

“Aty ka pasur… nëse mund të bëhet një listë e gjërave që nuk janë si duhet ose nuk janë prezantuar si duhet, ajo do të ishte shumë e gjatë. Prandaj, nuk kisha dashur të futem më tutje. Janë çështje të organeve të rendit për atë temë specifike, për këto tjerat janë aq të banalizuara dhe aq të panevojshme sa që aty janë bërë shumë shkelje duke filluar prej bazikes gjuhës parlamentare, etikës profesionale. Parlamentarizmi dhe demokracia nuk e njohin dhe nuk do të duhej ta kishin shfryrjen e mllefit, egove ose inateve personale në konferencë për media me pretendimet të cilat pastaj prodhojnë pasoja tjera”, ka deklaruar ajo.

Për fund Kusari-Lila është shprehur se me ato deklarata Abazi nuk i ka bërë nder askujt, madje as vetës.

“Për mua është e tepërt çfarëdo diskutimi i mëtutjeshëm lidhur me atë ngjarje atë ditë, sepse mendoj që askujt nder nuk i ka bërë, madje as vetë autorit”, është shprehur Kusari-Lila.

Vdekja e Astrit Deharit është raportuar më 5 nëntor të vitit 2016. Vdekja e aktivistit në Qendrën e Paraburgimit u cilësua si e dyshimtë.

Share Messenger

Më të lexuarat