Kurti reagon për sulmin ndaj gazetarit

Share Messenger

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se populli i Kosovës nuk e duron rrahjen e gazetarëve, në një reagim për sulmin brutal të ndodhur mbrëmë në mesnatë ndaj gazetarit të Insajderit, Visar Duriqi.

Kurti, në një njoftim të publikuar sot në Facebook, u ka bërë thirrje organeve të rendit që “të vënë sa më shpejt para përgjegjësisë dhunuesit” e gazetarit Duriqi.

“Ata që mendojnë se mund ta ndalin demokracinë me gangsterizim, le ta dinë se koha e tyre ka perënduar. Njëri-tjetrin mund “ta mundim” vetëm me fakte, me argumente, me logjikë e me mjete demokratike. U bëj thirrje forcave të rendit që me profesionalizëm e angazhim të vënë sa më shpejt para përgjegjësisë dhunuesit”, ka shkruar Kurti.

Fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë i ka uruar shërim të shpejtë “e rikthim në detyrë” gazetarit.

Gazetari hulumtues dhe autori i emisionit InDoks, Visar Duriqi, u sulmua mesnatën e mbrëmshme, si pasojë e të cilit ka pësuar thyerje të hundës, nofullës së epërme dhe katër dhëmbëve.

Duriqi është sulmuar nga tre persona ende të panjohur të cilët sipas policisë kanë qenë të maskuar.

Gazetari Duriqi, është njëri ndër gazetarët më të guximshëm në Kosovë që ka trajtuar një sërë temash të ndjeshme përfshirë ekstremizmin fetarë, krimin, korrupsionin e keqpërdorimet nga institucionet, grupet e caktuara etj.

Prokuroria ka inicuar rast hetimi për sulmin ndaj Duriqit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, organizatat ndërkombëtarë për mbrojtjen e gazetarëve, kolegë gazetarë, e zyrtarë të tjerë të institucioneve publike kanë reaguar për sulmin brutal ndaj Duriqit.

Share Messenger

Më të lexuarat