Kurti flet për liberalizimin e vizave: Ja qfarë thotë

Share Messenger

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës para samitit të Zagrebit që mbahet me datë 7 maj.

Ai këtë deklaratë e ka bërë në konferencën e jashtëzakonshme për media ku ka paralajmëruar heqjen e taksës 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake për lëndën e parë nga data 15 mars.

“Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020”, kishte deklaruar Kurti në konferencë.

Por sa është e mundur që kushti i Kurtit ndaj BE-së të plotësohet nga këta të fundit?

Njohësi i integrimeve evropiane dhe politikave të BE-së, gjithashtu profesor universitar Avni Mazreku për lajmi.net është shprehur se nuk mund të thuhet se është e mundur, por vendimi varet nga shtetet anëtare të BE-së dhe kjo e bën të vështirë të parashikohet një gjë e tillë.

“Kurrë nuk duhet të thuhet se nuk është e mundur mirëpo është problem që është vështirë i parashikueshëm liberalizimi i vizave sepse kjo varet nga shtetet anëtare të BE-së dhe ne e dimë sistemin e votimit me të cilin duhet të votojë Këshilli i Ministrave të BE-së për liberalizimin e vizave por është vështirë i parashikueshëm ky vendim kur varet nga shtetet anëtare”, tha Mazreku për lajmi.net.

Sipas Mazrekut, një informacion të tillë mund ta posedojë Ministria e Integrimeve Evropiane nëse ka konfirmime për vota të shteteve anëtare të BE-së të cilat më herët kanë votuar kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Nuk duhet të flasim as me optimizëm e as me pesimizëm. Kush duhet ta dijë saktësisht a do të ndodhë liberalizimi i vizave apo jo është sektori i politikës së jashtme, respektivisht Ministria e Integrimeve Evropiane duke pasur paraprakisht konfirmimin e shteteve anëtare. Nëse ata i disponojnë konfirmimet e shteteve anëtare se shteti X ose Y do të votojë dhe bëjnë kalkulime matematikore sepse është lehtë e kalkulueshme kuota, atëherë ne mund të themi sepse kjo është çështje e raporteve midis shteteve”, tha Mazreku për lajmi.net.

Mazreku tha se kur nuk ka konfirmime paraprake është e vështirë të flitet për vendime të tilla të BE-së.

“Por në qoftë se nuk kemi konfirmime paraprake të shteteve dhe zakonisht kur është në pyetje marrja e një vendimi politik në strukturat e BE-së, shtetet bëjnë fushatë lotuese për të arritur deri tek një vendim, përsëri nëse është në të mirë të tyre, po flasim hipotetikisht”, tha Mazreku për lajmi.net.

Në fund, Mazreku tha se duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një qeveri të re dhe një ministër të sapoemëruar në detyrë, është e vështirë të pritet një vendim pozitiv për vizat.

“Por nëse politika jonë e jashtme ka bërë një veprimtari të tillë, atëherë mbetet të shihet, por duke pasur parasysh se qeveria është krijuar rishtazi, ministri i ri sapo ka marrë detyrën dhe duke pasur parasysh se si ka funksionuar kjo strukturë më herët, është vështirë i parashikueshëm një vendim pozitiv për Kosovën në këtë periudhë“, tha Mazreku për lajmi.net.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar shpesh se Bashkimi Evropian po i bën padrejtësi Kosovës me mos-liberalizim të vizave.

Vlen të theksohet se edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova shpesh ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të fituar liberalizimin e vizave.

Share Messenger

Më të lexuarat