Krasniqi: Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese

Share Messenger

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese. Krasniqi në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express u shpeh se mbajtja e referendumit do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj”, tha Krasniqi.

Ai tutje ka shtuar se “Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën ashtu siç është lejuar në të kaluarën.

Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë sot i kanë shkuar në zyrë presidentes Vjosa Osmani dhe besohet që tema e takimit do të jetë lejimi i votimit të serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi.

Në presidencë po qëndron edhe kryeministri Albin Kurti.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Share Messenger

Më të lexuarat