KMDLNJ-ja kërkon nga Hoti shkarkimin e Rakiqit

Share Messenger

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thotë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duhet ta shkarkojë nga detyra e zëvendëskryeministrit të Kosovës kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Kjo për faktin se ky i fundit shpalli “gjendjen e jashtëzakonshme” në komunat veriore me shumicë serbe sipas vendimit të presidentit serb Vuçiq e jo sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

“Pas përshkallëzimit të situatës së pandemisë të shkaktuar nga COVID-19, Qeveria e Kosovës riktheu masën e kufizimit të lirisë së lëvizjes në katër komuna, ku numri i të infektuarve ishte më i madh. Edhe Serbia e riktheu gjendjen e jashtëzakonshme, ku u përfshinë komunat që gjeografikisht janë pjesë e Kosovë, kurse faktikisht përmes Listës Serbe kontrollohen nga Serbia. Goran Rakiqi, kryetar i LS-së dhe zëvendëskryeministër në qeverinë ‘Hoti’, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në komunat e Kosovës, jo sipas vendimit të kryeministrit Hoti dhe ministrit të Shëndetësisë Zemajt, por sipas vendimit të kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, të cilin edhe e njeh dhe e pranon si kryetar e jo kryetarin e Kosovës”, ka thënë KMDLNJ-ja në reagimin dërguar mediave.

Këshilli kritikon kryeministrin Hoti për, siç thotë, “famën mashtruese” të të qenit personalitet me peshë vendimmarrëse për Kosovën teksa po shëtit “nga Parisi në Bruksel”, ndërsa thekson se nuk po reagon ndaj veprimit të zëvendësit të tij.

KMDLNJ-ja thotë se ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në vend se të shkarkonte drejtorin e SHSKUK-së Basri Sejdiun, do të duhej të kërkonte shkarkimin e Rakiqit. Madje ky këshill thotë se edhe ministri Zemaj do të duhej dorëhequr nga posti pas vdekjeve të cilësuara të dyshimta në Infektivë gjatë fundjavës.

“Për më keq, ministri Zemaj ka deklaruar se ende nuk e ka marrë raportin e Prokurorisë së Shtetit e që sipas KMDLNJ–së paraqet ndërhyrje në punën e Prokurorisë për faktin se Prokuroria nuk ka asnjë detyrim ligjor t’i raportojë ministrit, por komunikon me Gjykatën”, thuhet në reagim.

“Kryeministri Hoti duhet ta shkarkojë Goran Rakiqin për faktin se ai, me subjektin që e drejton, Lista Serbe po u shërben interesave të Serbisë dhe se për epror politik po e njeh dhe pranon vetëm kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një të kaluar kriminale si kontribuues i krimeve të luftës në Kosovë e që në çdo aspekt është e papranueshme për Kosovën”, potencon KMDLNJ-ja.

Në fund, KMDLNJ-ja ka kërkuar përjashtimin e Listës Serbe nga Qeveria dhe të bëhet një riformatim i saj, “ku do të përfshiheshin të gjitha subjektet politike” ose “duhet të shkohet në zgjedhje të reja”.

Share Messenger

Më të lexuarat