KFOR-i bëhet gati – Pasdite pritet ndërhyrja në veri të vendit, dhe largimi i Njësisë Speciale

Share Messenger

Trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, të njohura si Forca e Kosovës, apo KFOR, janë gati për të intervenuar në Veri të Kosovës, aty ku prej një jave ka mbetur gjithçka e bllokuar pas aksionit të policisë për reciprocitetin e targave në dy pikat kufitare – Jarinje dhe Bërnjak.

Albanian Post mëson se ndërhyrja e KFOR-it pritet që të bëhet në orët e vona të pasdites, gjatë kësaj të hëne.

KFOR, siç kupton AP, është përgatitur tashmë dhe vetëm pritet drita e gjelbër nga baza e NATO-s në Napoli të Italisë.

Deri te një pajtim i përgjithshëm për të ndërhyrë KFOR-i në Veri ka ardhur pasi Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Në këto biseda është arritur një marrëveshje për de-eskalim të situatës më futjen e trupave paqeruajtëse të aleancës në Veri. Edhe ultimatumi që Vuçiç në një intervistë në televizionin serb “Pink” e dha të dielën në mbrëmje, ku tha se pret 24 orë që NATO të bëjë diçka dhe nëse nuk intervenon aleanca-veri-atlantike, atëherë Serbia reagon vetë, ishte pjesë e këtij skenari.

Pasi KFOR të marrë kontrollin në dy pikat kufitare në Veri, do të ndodhë largimi i Njësiteve Speciale të Policisë së Kosovës dhe zhbllokimi i rrugëve nga protestuesit serbë.

Edhe Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media të shtunën e kaluar, deklaroi se veprimet ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën, janë njëfarë përgjigje për ndërkombëtaret, meqë janë ata që po kërkojnë ulje tensionesh dhe mos-veprime të njëanshme dhe Serbia prapëseprapë po e bën.

Pas normalizimit të situatës palët do kthehen në Bruksel për të negociuar, mirëpo ende është e paqartë nëse reciprociteti për targat do të vazhdojë, apo do kthehet situata e mëparshme.

Share Messenger

Më të lexuarat