Jakupi: PDK fituese në Shtime, jemi në garë për kryetarin

Share Messenger

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, të cilat janë publikuar sot, në Shtime e para kryeson Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka rritur votën krahasuar me zgjedhjet e kaluara lokale të 2017-ës, por edhe Zgjedhjet Parlamentare 2021. PDK në Shtime, ka një rezultat në epërsi të lartë ndaj VV-së, derisa LDK-ja del të jetë e treta. Në zgjedhjet e 17 tetorit, PDK është e para me 5250 vota, ndërsa e dyta vjen Vetëvendosje (VV) me 4367 vota. Shprehur në përqindje (%) PDK-ja ka 42, 95%, VV-ja me 35, 72 %, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11, 07%. Pastaj vijnë partitë tjera me më pak vota.

Lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve, kryetari i Degës së PDK-së në Shtime, Rrahman Jakupi u shpreh i kënaqur me ngritjen e rezultatit të subjektit që e përfaqëson.

“Falënderojmë të gjithë qytetarët për besimin që na dhanë në këto zgjedhje. Si parti jemi fitues dhe kemi marrur shumicën e anëtarëve të Kuvendit, ndërsa jemi në garë për kryetar të Komunës dhe besojmë se në balotazh, i cili do të mbahet me 14 nëntor 2021, do të dalim fitues dhe do të jemi në qeverisje edhe për 4 vite të tjera dhe do të punojmë për të gjithë qytetarët e komunës sonë pa dallim.”

Në këto zgjedhje të drejtën për të votuar nga komuna e Shtimes e kishin 27. 015 votues. Në zgjedhje kanë votuar 13. 385 qytetarë, shprehur në përqindje dalja ka qenë 49,55%. Pra, Shtimja është njëra ndër komunat me daljen më të madhe në këto zgjedhje.

Share Messenger

Më të lexuarat