Infermierja shtatzënë vdiq nga koronavirusi në Britani, foshnja shëndosh e mirë

Një foshnje u lind shëndosh e mirë në fundjavë në Britani të Madhe edhe pse nëna e vet vdiq si pasojë e koronavirusit.
Foshnja e saj u nxor me sukses përmes operacionit urgjent dhe është mirë, sipas spitalit.
Mary Agyeiwaa Agyapong, 28 vjeçare, kishte punuar për pesë vjet në Spitalin Universitar Luton and Dunstable, ku edhe vdiq të dielën, shkruan BBC.
Një zëdhënëse në spital ka thënë se “fëmija e infermieres është në gjendje të mirë”, por nuk mund të jepte informata shtesë lidhur me këtë rast.
Agyapong u pranua në spital më 7 prill, pasi ishte diagnostikuar me Covid-19 dy ditë më parë.
David Carter, shefi ekzekutiv i spitalit në Bedfordshire, thotë se ajo ishte një infermiere fantastike dhe një shembull i shkëlqyeshëm për të gjithë.
“Ngushëllimet më të sinqerta janë me familjen dhe miqtë e Marisë në këtë kohë pikëlluese”, ka thënë ai.
Burri i Agyapongut aktualisht është në vetizolim dhe është testuar pozitiv me Covid-19. Homazhe iu bënë Agyapongut edhe nga kolegët e saj. Për të mbështetur familjen e saj u hap edhe një faqe për mbledhjen e fondeve. Faqja që u krijua të mërkurën në mëngjes tashmë ka mbledhur pothuajse 4500 funte.
Një ish-koleg ka thënë se Agyapong “ia kishte kushtuar jetën e saj profesionit të infermieres”.
“Motra Mary ishte kolegia ime, unë punova përkrah saj për disa vite me radhë. Ajo meriton që familja e saj të ketë përkujdesje, pasi ajo ia kushtoi jetën punës prej infermiereje. Tani është koha që të kujdesemi për të tjerët dhe të bëhemi shembull siç ishte Maria dhe t’i ndihmojmë familjes së saj e cila ka nevojë në këtë kohë pandemie. Pusho e qetë në parajsë motra Mary”, ka shkruar Renai Mcinerney, kolege e Maryt