Hyrja me vetura në Prishtinë do të bëhet me pagesë për banorët e qyteteve të tjera

Share Messenger

Shumë shpejt, hyrja me vetura në qendër të Prishtinës do të bëhet me pagesë.

Në katër anët e kryeqytetit, të gjitha automjetet që vijnë nga vendet e tjera, do të duhet të paguajnë hyrjen.

Komuna po planifikon që në nëntor të merret një vendim i tillë, derisa ai pritet të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se përmes projektit në të cilin parashihet të ndërtohen edhe unazat, parashihet edhe zgjidhja e problemit të trafikut të ngarkuar.

Sipas tij, hyrja me pagesë në kryeqytet, do të eliminojë tollovinë në komunikacion, pasi që siç thotë ai zgjerimi i rrugëve nuk është zgjidhje.

“Diku në nëntor fillojmë tash një projekt të ri të cilin jemi para nënshkrimit, ku do të ketë dhe pagesa që besoj do mund ta implementojmë që nga viti tjetër, pagesa për hyrje në kryeqytet. E gjitha kjo me idenë që, po njerëzit kanë nevojë për kerre, por jo edhe bash sa i vozisim na. Prishtina është qytet i vogël, prej skajit në skaj për gjysmë ore mundesh në këmbë me hecë.”, tha Ahmeti për Kanal10.

Ndërkohë ish-asamblisti i Vetëvendosjes, në Prishtinë, Eman Rrahmani, thotë se një vendim i tillë është i jashtëligjshëm. Ai ka thënë se ideja që parkingu në hyrje të Prishtinës të bëhej me pagesë, ka qenë e subjektit të tij politik.

“Gjatë kësaj deklarate, kryetari ka mund të ketë qenë i dehur në ndonjë prej nejave që i mban me PDK-në gjatë natës. Mirëpo një gjë e tillë është e pamundur të realizohet dhe nuk do të lejojmë të realizohet. Besoj që fjala është për ndërtimin e parkingjeve në hyrje të Prishtinës, i cili ka qenë premtim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe aty do ta realizojmë qysh në fillim të mandatit të ri ku kryetari i Prishtinës do të jetë nga LVV.”, ka thënë Rrahmani.

Qytetarët e vendeve të tjera thonë se nuk do ta mirëpresin një vendim të tillë, kurdo që ai të ndodhë.

Sipas tyre hyrja me pagesë veçse do të bëjë tollovi edhe më të mëdha në trafik.

Ata thonë se përveç shumë shërbimeve të cilat i kryejnë gjatë ditës në Prishtinë, shumë prej tyre punojnë edhe në institucione dhe u duhet të udhëtojnë nga qytete të tjera të Kosovës.

Share Messenger

Më të lexuarat