Hoti sot rrëfehet në Kuvend, hedhët në votim Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike

Share Messenger

Sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë vazhdimin e seancës plenare me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, si dhe një seancë tjetër të re në të cilën në rend dite do të jetë edhe raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti për dialogun Kosovë-Serbi.

Në këtë seancë të Kuvendit të Kosovës në interpelancë do të jetë ministri i Arsimit, Ramë Likaj në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës, raporton Telegrafi.

Në interpelancë do të jetë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
Kuvendi i Kosovës sot do të hedhë sërish në votim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, që midis tjerash, parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti.

Deputetët do të votojnë edhe rreth dy propozim-rezolutave rreth menaxhimit të pandemisë, asaj të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për situatën financiare të Telekomit, pas lejimit të përmbarimit të vendimit përfundimtar OEN të Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, të propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes është pika e dytë.

Legjislativi do të votojë në parim edhe rreth Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike nuk është votuar në lexim të parë gjatë gushtit, pasi që Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin refuzuar ta votojnë, ndonëse ministrja e Financave Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.

Seanca plenare do të mbahet nga ora 11:00.

Rendi i ditës

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi,

Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës,

Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007,

Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe sporteve për vitin 2019,

Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,

Zgjedhja e gjashtë (6) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,

Propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Share Messenger

Më të lexuarat