Gruaja kosovare që punon si pastruese rrëfen jetën e saj, është juriste dhe ka regjistruar Infermierinë

Share Messenger

Vetëm 16 vjeçare, Linda po e nxirrte jetesën e saj e të familjes. Nisi duke e ndihmuar fqinjin e moshuar në përditshmëri, për t’u bërë më pas pastruese profesioniste.

Nga puna që bën ajo i ka paguar studimet e veta, posedon veturën e saj dhe mbanë familjen disa anëtarëshe.

“Ka 12-13 vjet që punoj në këtë sektor. Që e vogël e kam pasë një kojshi përballë banesës edhe si fëmijë jam kujdes për të. Kam shku me i ndihmu si fëmijë me i ble në shitore ose me ia fshi banesën. Pastaj kam vazhdu me pastru te çikat e veta goxha shpesh. Te kjo familje jam paguar. Masnej shoqe mas shoqe kam nis me punu privatisht”.

Tani i ka 29 vjet. Ka diplomuar në fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdon të punojë në sektorin e pastrimit. Diplomën e mbanë në sirtar. Por prapë, është maksimalisht e angazhuar.

Linda asnjëherë nuk ka punuar si juriste, por për më shumë se një dekadë ajo i ka gjetur punë vetes në një treg aspak të favorshëm për gratë. Asaj i është dashur të punojë për ta mbështetur veten dhe familjen. Kjo s’i ka lënë hapësirë që të angazhohet asnjëherë në fushën e ligjit.

“Unë e kam përfunduar fakultetin juridik në Universitetin e Prishtinës. Kam aplikuar në do vende po për shkak që praktikë s’kam mujt me kry s’jam punësu në profesion. Praktikë s’kam mujtë me bo se kam punu edhe familja jeme është m’varë prej meje”, thotë ajo për revistën ZA, artikulli i cili u publikua në faqen e fondacionit të Atifete Jahjagës.

Në sektorin e pastrimit ajo punon shtatë ditë të javës. Rrallë herë pushon. Në familjen e saj është e vetmja që ka një vend pune. Të vetmen përkrahje financiare jashtë asaj që e fiton vetë e ka pensionin e të atit.

“Unë gjithmonë jam në punë. Mu ka bo pjesë e jetës kjo punë. Unë e mbaj familjen. Për me hëngër e me pi më dalin. Me punu shtatë ditë të javës është bajagi e zorshme po nuk e kam atë brengë. Po më duhen paret e ato më motivojnë”.

Sektori i pastrimit është ndër sektorët me orët më të gjata të punës dhe me pagat më të ulëta në Kosovë. Sipas hulumtimit “Faktorët që ndikojnë në vendimet ekonomike të grave në Kosovë” nga Instituti Riinvest, gratë në sektorin e pastrimit punojnë nga 10 deri në 12 orë në ditë dhe nga 7 ditë në javë. Në këtë kategori hyjnë edhe gratë që punojnë në sektorin e shitjes, floktarisë, rrobaqepësisë e kulinarisë.

Linda ka dy puna të rregullta, një në një kompani private të marketingut dhe tjetrën si kujdestare për fëmijët e një çifti në Prishtinë e edhe mirëmbajtëse e shtëpisë së tyre. Pesë ditë të javës pasditeve është e angazhuar në kompani, ndërsa në orarin e rregullt tradicional nga ora 8 deri në 5, nga e hëna në të premten, kujdeset për dy fëmijë dhe shtëpinë e tyre. Ndërsa në fundjava ajo angazhohet duke punuar varësisht kërkesave.

Çdo ditë në punë, çdo pasdite në punë. Por prapë paga nuk është e kënaqshme në raport me volumin e punës. “Sa duhet me u pagu nuk paguhet”, thotë ajo.

Linda pastron shtëpitë e të tjerëve dhe zyrat e dikujt. E bën këtë punë për më shumë se një dekadë. Jetesën e siguron duke vezulluar rafte e pastruar dysheme. Deri këtu, gjithçka tingëllon mirë. Ajo punon dhe fiton!

Por… gjithmonë ka një por në këtë mes. Linda intervistën për revistën ZA e dha anonimisht. Ajo nuk e tregoi identitetin e saj të vërtetë sepse në krahë mbante barrën e paragjykimit.

Ajo thotë se dëshiron të mbetet anonime “për shkak të njerëzve paragjykues. Për shkak të rrethit. Më paragjykojnë njerëzit… Ti që je me fakultet duhesh me kon drejtoreshë, jo me shku me pastru. Po për punën që e boj jam shumë krenare edhe e kënaqur. Përderisa nuk i lypi askujt kurgjo, jam krenare”.

Duke i rrudhur krahët në shenjë keqardhjeje jep justifikimin prapa vendimit për anonimitet kur iu kërkua të japë një intervistë që do të bëhej publike. Linda e sakrifikoi identitetin e vërtetë për hir të familjes.

“Personalisht as që më bën përshtypje, po nashta familjarët e mi ndihen keq. Edhepse nuk kanë kurgjo për me u ndi keq sepse ne hajmë prej kësaj rroge. Ata kanë jap mund që une me e kry shkollën, po kjo o kon e vetmja punë që kom mujt me e gjet” përfundon ajo, duke palosur një fletë të bardhë që kishte përpara. Ajo ishte kontrata e nënshkruar që i garantonte fshehjen e identitetit.

Ekziston pikërisht ky paragjykim për këtë profesion që e bën Lindën të jetë e kujdesshme për paraqitjen publike. Puna në sektorin e pastrimit paragjykohet. Ajo nuk është e vetmja grua që është ftuar të intervistohet për këtë revistë. Të gjitha përgjigjet kanë qenë negative – duke mos e pranuar as opsionin e anonimitetit. Dhe mbi arsyetimin sërish peshon paragjykimi.

Sektori i pastrimit mund të mos jetë puna më e pëlqyer për kosovarët, por Linda e çmon shumë punën e saj. Komuniteti në anën tjetër mund ta paragjykojë një grua që pastron shtëpitë e të tjerëve, por punën e tyre edhe e çmon.

“Varet prej njerëzve. Nuk janë të gjithë njejtë. Nuk kam ndonjë përvojë të keqe. Unë jam e kënaqur. Sikur të mos ishin kon njerëzit paragjykues, dert s’mu kish bo për as edhe një send. Edhe absolut, nuk kam pasë asnjë problem. Kam shumë liri në punën që e boj”.

Në fillimet e veta ka vetëm një gjë që e ka munduar kur shkonte në punë. Por eksperienca ia ka dhënë disa mësime.

“Më së shumti më ka munduar fakti që njerëzit nuk ma jepnin dorën kur isha në shtëpitë e tyre me fshi. Për një kohë të gjatë më ka mundu kjo. Kam mendu: Çka kam une? Mos jam e papastër veç pse po fshij aty? Hijshin edhe më thojshin veç: “çka bone?” Po me kalimin e kohës e kam kuptu që kjo është veç mënyra qysh ata komunikojnë edhe s’ka pas të boj me mu hiç”, thotë ajo duke qeshur me zë.

Linda punon 13 orë në ditë në 7 ditë të javës dhe prapë ajo ka gjetur kohë për të nisur studimet edhe në një degë universitare. Ëndrrat i kishin mbetur në gjysmë dikur. Ajo s’kishte dashur asnjëherë të bëhej juriste. Në fakt, ajo e donte infermierinë. Dhe këtë ëndërr ajo tashmë po e realizon duke vijuar studimet në fakultetin e dytë, falë punës që rrethi i saj e paragjykon.

“Kam studiu e studioj tash prej kësaj pune. E paguaj fakultetin e infermierisë. Si fëmijë e kam pasë andërr. Por kur më është dashtë me zgjedh për me shku’ në fakultet kam dashtë infermieri, por familja s’është se më ka shtyrë për këtë profesion. E kam përfundu juridikun pa e dashtë. Edhe gjithmonë kam thanë që pa e kry infermierinë s’kom me e lanë kurrë”.

Diku duke pastruar e diku duke dëgjuar ligjëratat online, tash është në vitin e dytë të studimeve për infermieri në një universitet privat në Kosovë.

Ajo u largua nga vendi ku po e bënim intervistën për ta shoqëruar në spital hallën e saj e cila vuan nga kanceri. Linda e ndihmon edhe atë financiarisht në përballimin e sëmundjes.

Punësimi është thelbësor për të garantuar pavarësinë ekonomike të grave. Por prapë se prapë, ato përballen me pengesa. Sipas hulumtimit të lartpërmendur nga Instituti Riinvest, 37% e grave të sektorit privat ankohen për nivelin e ulët të pagave. Dhe kjo nuk është e vetmja pengesë.

Rëndësia e punëtorëve të sektorit të pastrimit nuk është theksuar asnjëherë mjaftueshëm. Sa herë që ndodhemi në rrugë apo në zyrë na bëjnë përshtypje papastërtitë, por jo puna e individëve që punojnë në këtë sektor për të krijuar ambiente të pastra dhe të shëndetshme për ne. Të gjithë ata që pastrojnë shtëpitë dhe zyrat tona na lehtësojnë jetën dhe na mundësojnë që të përkushtohemi më shumë në punët tona. Për këtë ata meritojnë kushte më të mira si dhe mirënjohjen tonë të pakusht.

Share Messenger

Më të lexuarat