Fjalimi i fuqishëm i Scholz, flet për 30-36 anëtare të BE-së me Ballkanin Perëndimor aty

Share Messenger

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, më 29 gusht ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në Pragë, përpara studentëve të “Charles University”. Në fjalën e kryetarit të Qeverisë gjermane vend të posaçëm ka zënë edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, shkruan Gazeta Express.

Scholz ka thënë se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Evropës së lirë dhe demokratike. “Anëtarësimi juaj në BE është në interesin tonë”, ka thënë kancelari gjerman.
Në këtë fjalim, Scholz ka përmendur edhe avancimin e bashkëpunimit në mes të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerëve. Kur ka folur për këtë çështje, politikani që ka pasur Merkelin thotë se në mënyrë të rastësishme kështu e kupton edhe propozimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për krijimin e një komuniteti politik evropian.

Kancelari gjerman thotë se ka shumë organizata në kuadër të të cilave punohet me partnerët, megjithatë thotë se mungon një shkëmbim i rregullt në nivel politik, ku liderët evropianë mund të flasin dhe diskutojnë një ose dy herë në vit çështjet kryesore që prekin kontinentin evropian në tërësi: sigurinë, Energjinë, klimën ose bashkëpunimin, raporton Gazeta Express.

Ai ka thënë se një nismë të tillë të Macronit nuk e sheh si një alternativë për procesin e zgjerimit, duke potencuar se BE-ja qëndron afër vendeve të Ballkanit Perëndimor për gati 20 vjet.

“Një bashkim i tillë – kjo është shumë e rëndësishme për mua – nuk është një alternativë ndaj zgjerimit të ardhshëm të BE-së; sepse ne qëndrojmë pranë vendeve tona kandidate – në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për gati 20 vjet – dhe këto fjalë duhet të pasohen më në fund me vepra”, ka thënë Scholz.

Si asnjëherë më parë, Scholz ka folur me një besim të jashtëzakonshëm se BE-ja duhet të zgjerohet, përfshirë Ballkanin Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe në të ardhmen edhe Gjeorgjinë.

Ai ka thënë se sigurisht që një BE me 30 ose 36 shtete do të duket ndryshe nga Bashkimi Evropian që është aktualisht. Scholz tutje ka shtuar se sigurisht me një zgjerim të tillë do të ketë dallime mes shteteve anëtare në aspekte të interesave politike, ekonomike apo sociale.

“Ukraina s’është Luksemburg, dhe Portugalia i sheh sfidat botërore ndryshe nga Maqedonia e Veriut”, ka thënë kancelari gjerman.

Scholz ka thënë se përveç që vendet kandidate duhet t’i plotësojnë kushtet për anëtarësi, edhe vetë Bashkimi Evropian duhet përgatitet për një zgjerim të tillë të madh.

“Së pari dhe më kryesorja, vendeve kandidate u kërkohet të plotësojnë kriteret për anëtarësim. Ne do t’ju mbështesim me aq sa mundemi. Por ne duhet të përgatisim edhe vetë BE-në për këtë zgjerim të madh. Kjo do të marrë kohë, kështu që ne duhet të fillojmë tani”, ka potencuar mes tjerash politikani gjerman./

Share Messenger

Më të lexuarat