Deputetja e PDK-së, paralajmëron befasi për kandidaturat për kryetarë komunash!

Share Messenger

Shumë shpejtë pritet të mbyllen listat me emrat e kandidatëve për kryetar komunash për zgjedhjet e 22 tetorit.

Derisa disa parti kanë filluar të zyrtarizojnë kandidatët, është Partia Demokratike e Kosovës që nuk ka bërë publik pothuajse asnjë emër të tyre. E kontaktuar nga Indeksonline, deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu është shprehur se PDK, është në fazën finale të përgatitjes për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Sipas Deliut, këtë javë fillon edhe prezantimi i kandidatëve për kryetar të komunave.

“Ajo çfarë është e rëndësishme, në këto zgjedhje PDK do të ketë mbi 300 personalitete të reja që do të jenë pjesë e listave zgjedhore nëpër komuna. PDK do të ketë kandidatë të rinj për kryetar të komunave në gati gjysmën e komunave”, ka thënë Deliu.

Madje sipas saj PDK ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale që në përfundim të atyre nacionale.

“Që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të qershorit, PDK ka filluar përgatitjet e zgjedhjeve lokale dhe ekipet tona të ekspertëve janë marrë me hartimin e programeve specifike për secilën komunë, programe që u përgjigjen më së miri kërkesave të qytetarëve, të cilat do të sigurojnë fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës në shumicën e komunave”, ka përfunduar Deliu.

Siç duket PDK ka ende punë deri në përfundim të gjithë emrave kandidues, për të cilët edhe mund të ketë pakënaqësi brenda partisë.

Share Messenger

Më të lexuarat