Deputeti shqiptar në parlamentin e Zvicrës, i del në mbështetje Ramës: Prishtina nuk duhet të humbasë këtë mundësi

Deputeti në Parlamentin e Zvicrës, Përparim Avdili, i ka dalë në mbështetje kandidatit për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një postimi në Facebook, Avdili ka thënë se Prishtina nuk duhet të humbasë këtë mundësi.
“Politika në vendet e zhvilluara sjellë vazhdimisht në skenë profile jashtëzakonisht interesant. Profesionistë të fushave të ndryshme, që e kanë dëshmuar veten shpesh herë dhe me konsistencë. Kanë krijuar vende pune, kanë realizuar projekte që jehojnë edhe me vite të tëra. Kur këta persona me bagazhin e tyre profesional përfshihen në politikë, e gjithë përvoja dhe arritja e tyre individuale shndërrohet në investim për të gjithë shoqërinë”, ka shkruar ai.
Tutje Avdili ka thënë se Prishtina ka nevojë për Përparim Ramën si kryetar i saj.
“Më shumë se që Përparim Rama ka nevojë për detyrën për të cilën po garon, Prishtina ka nevojë për Përparim Ramën si kryetar i saj. Nëse një qyteti dhe një zone urbane i duhet një politikë e cila zgjidh probleme konkrete dhe nuk merret me ideologji qorrësokakësh, atëherë Përparim Rama është përgjigjja. I uroj Prishtinës që të zgjedh kryetarin që ka kompetencat e padiskutueshme për t’i shërbyer dhe për t’a menaxhuar, si kryeqendër urbane të vendit tonë. Me Përparimin në të ardhmën!”, është shprehur ai.