Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë mund të rritet më shumë se 30 për qind

Share Messenger

Fatura e energjisë elektrike për muajin prill të vitit të ardhshëm, qytetarëve të Kosovës do të mund t’iu vijë mbi 30 për qind më e lartë se aktualisht.

Këtë e konfirmojnë zyrtarë të Kompanisë kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), duke thënë se kriza energjetike në Evropë prek direkt edhe Kosovën.

“Rritja do të jetë e domosdoshme, mbi 30 për qind, në bazë të gjendjes së tanishme. Mirëpo, çfarë do të ndodhë gjatë muajve të dimrit, cili do të jetë konsumi? Cili do të jetë çmimi i importit? Cili do të jetë pastaj edhe prodhimi vendor? Kjo e determinon edhe rritjen”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Evropa, tash e sa javë, është përfshirë nga kriza energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë. Për rrjedhojë, konsumatorët janë duke marrë fatura shumë më të larta të rrymës.

Qytetarët e Kosovës aktualisht paguajnë çmimin me të ulët në rajon për energjinë e shpenzuar elektrike. Për një kilovat në orë, ata paguajnë rreth 6 centë.

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, në Serbi një kilovat orë kushton rreth 8 centë, në Maqedoni të Veriut po ashtu rreth 8 centë, në Bosnje e Hercegovinë rreth 9 centë, në Shqipëri rreth 9.5 centë dhe në Mal të Zi më së shtrenjti: rreth 10 centë.

Sipas zyrtarëve të KEDS-it, çmimi në Kosovë nuk pritet të ndryshojë së paku deri më 1 prill, 2022, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të bëjë rishikimin e rregullt të tarifave.

Disa qytetarë thonë se nuk përballojnë dot rritje të çmimeve

Qamil Nika, një pensionist që jeton në Prishtinë, thotë se rritja e çmimit të rrymës, do ta vështirësonte edhe më shumë jetën, në kohën kur çmimet e produkteve të tjera të konsumit tashmë janë rritur.

“Sidomos rryma nuk bën të shtrenjtohet assesi. Këtë muaj kam paguar 71 euro. Nëse rritet çmimi i energjisë elektrike, duhet ta bëj gati një pension për ta paguar. Pension i marr 182 euro”, thotë Nika.

Nëse rryma shtrenjtohet për 30 për qind, fatura e tij prej 71 eurosh mund të arrijë në mbi 90 euro. Nika thotë se në familjen e tij 8-anëtarëshe, disa punojnë, porse kanë paga të ulëta për të mbuluar koston e jetesës.

“Nuk po guxojmë të futemi as në shitore. Nuk ke pse futesh, vetëm nëse futesh dhe i shikon produktet rreth e rreth. Po gënjejnë kinse po i lirojnë produktet, por, në të vërtetë, ata po i shtrenjtojnë”, shprehet ai.

Share Messenger

Më të lexuarat