Challandes për Muriqin: Ka cilësi, për mua është numër një

Share Messenger

Kosova i ka mbyllur me humbje kualifikimet për Euro 2020, duke përfunduar e treta në Grupin A me 11 pikë të grumbulluara.

‘Dardanët’ u mposhtën 0-4 nga Anglia në sfidën e fundit në ‘Fadil Vokrri’.

Në këtë ndeshje, por as ditë më parë në humbjen 2-1 nga Çekia, nuk luajti sulmues në top formë, Vedat Muriqi, për shkak të dëmtimit që pësoi me Fenerbahçen një ditë para grumbullimit me Kosovën.

Natyrisht, trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, duke njohur cilësitë e Muriqit, s’ka se si të mos e pranojë se Vedat Muriqi ishte mungesë e madhe për “Dardanët”.

“Vedat Muriqi është lojtar cilësor, për mua është numër një”, tha Challandes në Klan Kosova.

“Por, ne e kemi pasur Atdhe Nuhiun, që shënoi një gol në Çeki. Gjithashtu e kemi pasur edhe mungesën e Zenelit, që ka qenë lojtar i shkëlqyer”.

“Ne do të duhet të luajmë edhe me lojtarë të tjerë. Mund të jetë e rëndësishme që numrat 13, 14 dhe 15 të luajnë mirë sepse mund të kemi edhe lëndime tjera, apo edhe mungesa për shkak të suspendimeve etj”, potencoi Challandes.

“Por, natyrisht, Vedati ishte i rëndësishëm për ne në këto dy ndeshje. Nuk e di se çfarë do të ndodhte nëse Muriqi do të luante në dy ndeshjet e fundit”, shtoi Challandes mes tjerash.

Kosova humbi shansin e parë për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian, por ëndrra e ‘Dardanëve’ vazhdon.

‘Dardanët’ do të tentojnë Evropën përmes Ligës së Kombeve.

Pengesa e parë është Maqedonia në gjysmëfinale të Nations League dhe në rast fitores, do të kenë punë me fituesin e duelit Gjeorgji-Bjellorusi./express

Share Messenger

Më të lexuarat