Challandes: Është mrekulli që kemi arritur deri këtu, e duam kualifikimin në Evropian

Share Messenger

Trajneri Bernard Challandes ka thënë rrugëtimi i derikëtushëm i Përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet e Euro 2020 ka qenë i mrekullueshëm.

Dhe, zvicerani mendon se “Dardanët” e kanë një mundësi të artë për t’u kualifikuar në Evropian.

Për ta arritur këtë, ata duhet ta mposhtin Republikën Çeke nesër mbrëma, në ndeshjen që do të luhet në “Doosan Arena” në qytetin Plzen.

“Mendoj se ne e dimë ekzakt se kush jemi, se kush është Çekia. Gjatë shortit, ne e dinim se e para dhe ekipi më i fortë ishte Anglia, pastaj e dyta Çekia, e treta Bullgaria dhe i katërti Mali i Zi, kurse Kosova ishte e fundit. Ne nuk ndihemi në presion, e vlerësojmë faktin se kemi arritur deri këtu. E dimë se na pret një lojë ngazëlluese. Kjo është një situatë e mrekullueshme për ne. Ne e kemi një mundësi dhe mund ta arrijmë kualifikimin, por duhet ta bëjmë një lojë perfekte, një lojë të jashtëzakonshme ndaj një kundërshtari mjaft të fuqishëm”, u shpreh Challandes në konferencë për shtyp.

Trajneri zviceran ka thënë se nuk ishte befasuar me fitoren e Republikës Çeke ndaj Anglisë pasi e njeh kualitetin e çekëve.

Ndërkohë, e pranon se fitorja e Çekisë ndaj Anglisë ia ka komplikuar paksa punët dhe matematikat Kosovës.

“Anglia është më e forta në grup, por edhe çekët janë të fortë. Tash është më e vështirë për ne, por ne e dinim në fillim të shortit se do ishte një grup i vështirë për ne si Kosovë”, vazhdoi ai.

Sa i përket taktikës së lojës, Challandes ka thënë se këtë gjë nuk e zbulon assesi dhe nuk ka treguar se kush mund ta zëvendësojë Vedat Muriqin e lënduar.

Gjithsesi, ai e ka pranuar se mund ta ndryshojë taktikën në duel me Çekinë pas lëndimit të Muriqit.

Pas konferencës, Kosova po e zhvillon seancën e fundit stërvitore.

Kosova do të luajë me Çekinë nesër mbrëma në ndeshjen që do të fillojë në orën 20:45.

Share Messenger

Më të lexuarat