Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, apel partive politike të kandidojnë persona me integritet

Share Messenger

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, u bëri thirrje udhëheqësve politikë në Shqipëri të angazhohen seriozisht për të kandiduar në listat zgjedhore persona me integritet të lartë.

Pas një diskutimi në forumin kombëtar të “Qeverisje për ndryshim”, organizuar nga disa organizata të shoqërisë civile, Soreca tha se kishte pritshmëri që partitë politike do të angazhohen në mënyrë që rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile të merren në konsideratë.

“Diskutime si këto të sotmet janë thelbësore për të drejtuar votuesit dhe kandidatët drejt një procesi demokratik. Pres të shoh që partitë politike të angazhohen për rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile dhe të mos lejojnë që kjo iniciativë e shëndetshme demokratike të kalojë pa vëmendje,” – shkroi më pas Soreca në Twitter.

“Integriteti i zgjedhjeve të 25 prillit përcaktohet gjatë ditës së zgjedhjeve dhe më parë. Drejtuesit e partive kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të siguruar që listat e kandidatëve të kenë standardet më të larta të integritetit. Shqipëria meriton ligjvënës që mbështesin agjendën e reformave të BE-së në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar,” – vijoi ambasadori i BE-së.

Soreca, bashkë me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim ka bërë disa herë apel që partitë politike në Shqipëri të shikojnë me kujdes kandidaturat që do të shpallin për 140 vendet në parlamentin e ardhshëm të pas zgjedhjeve të 25 prillit./euronews/

Share Messenger

Më të lexuarat