Ambasadori gjerman në Beograd: Njohja reciproke në fund, ka shumë punë deri atëherë

Share Messenger

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Thomas Schieb, në një intervistë për agjencinë e lajmeve FoNet ka folur për procesin integrues të Serbisë dhe për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, raporton Danas, transmeton Gazeta Express.

Schieb ka thënë se në momentin që Serbia i përmbush të gjitha kushtet e vendosura, nuk ka asgjë që do ta pengonte anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, derisa ka theksuar se qëndrimi i Berlinit për dialogun Kosovë-Serbi s’ka ndryshuar që në fund të procesit është e nevojshme njohja reciproke mes dy shteteve.

Schieb ka thënë se është vendosur qartë korniza për negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohen me mbështetjen e BE-së dhe të emisarit Miroslav Lajcak. Ai tutje ka thënë se Gjermania ofron mbështetje të pakufizuar për procesin e negociatave, raporton Express.

“Për momentin, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i ngadalshëm, por është e rëndësishme për ne që në një të ardhme të parashikueshme të arrijmë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, pasi kjo do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE për të dy vendet”, ka theksuar Schieb.

Diplomati gjerman ka thënë se po mungon vullneti politik për të bërë progres më të shpejtë dhe për të arritur disa rezultate, derisa thekson se së fundmi është bërë progres në bashkëpunimin energjetik, edhe pse mbetet të shihet se si do të realizohet një marrëveshje e tillë, shkruan Express.

“Presim që dialogu të vazhdojë dhe të punohet në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e problemit”, ka thënë ambasadori gjerman duke përkujtuar se në proces është përfshirë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz përmes takimeve me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Teksa ka folur për atë se si duhet të përfundojë procesi i dialogut Kosovë-Serbi, Schieb ka mohuar se ka ndryshim qëndrimi, duke thënë se kancelari Scholz ka thënë se është e nevojshme që të normalizohen raportet dhe në fund është njohja reciproke.

“Është e nevojshme të normalizohen raportet mes dy shteteve dhe në fund është njohja reciproke, gjë që e tha Kancelari Scholz shumë qartë. Deri atëherë, ka shumë punë për t’u bërë”, ka thënë Schieb.

Share Messenger

Më të lexuarat